Operacioni ushtarak turk në Idlib, që ka shkaktuar edhe valën e re të refugjatëve sirianë drejt Europës, u bë shkak për këtë konfrontim të madh fizik mes deputetëve në parlamentin turk.

Dhuna nisi pasi deputetët e partisë së Erdoganit nisën të godasin një deputet të opozitës që kritikoi Presidentin për politikën e tij në Siri, që çoi në vrasjen e 33 ushtarëve turq në betejë me forcat e Asadit.

Gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin në Idlib, ku ushtria turke mbështet rebelët ndërsa rusët forcat e aleatit të tyre Bashar al-Asad, Presidenti turk Erdogan po përpiqet t’a gjejë në Moskë. Ai u takua këtë të enjte me homologun rus Vladimir Putin, me të cilin bisedoi për vazhdimin e dialogut për gjetjen e një zgjidhje politike.

Ndërsa numri i refugjatëve sirianë të bllokuar në kufirin turko – grek rritet dita ditës, Greqia ka përforcuar masat për pengimin e rrugëtimit të tyre drejt Europës, duke dërguar ushtrinë në kufi. Megjithatë, edhe pse u hapi portat e kalimit, edhe Turqia ka dërguar së fundi 1 mijë trupa në anën e saj të kufirit për të stabilizuar situatën e për të nxitur kthimin e tyre në kampet e strehimit në këtë vend, siç tha dhe ministri i Brendshëm turk.

Tv Klan