Autoritetet britanikë kanë shkatërruar një bandë që merrej me shpërndarjen e lëndëve të forta narkotike. Në pranga janë vënë 3 shqiptarë, të cilët janë dënuar me burg.

Agjentët e policisë të përfshirë në survejim panë se si Luciano Giaquinto shkëmbeu para në këmbim të drogës me një korrier shqiptar, Anesti Koretën, i cili punon për bandat shqiptare me bazë në Londër. Gjatë karantinës së koronavirusit, hetuesit kishin provuar se Giaquinto ishte takuar disa herë me Koretën dhe së bashku kishin udhëtuar drejt Londrës.

Atje, ai i kishte dhënë shqiptarit një çantë me para në këmbim të 1 kilogrami kokainë. Më pas, Giaquinto udhëtoi drejt shtëpisë së vëllait të tij. Ishte ky momenti kur autoritetet vendosën që të ndërhyjnë. Duke parë që “loja” kishte ardhur në një pikë të vështirë dy vëllezërit u munduan që ta fshihnin lëndën narkotike duke e hedhur në tualet, por gjithsesi autoritetet arritën të sekuestronin një sasi tjetër të vendosur në dhomën e ndenjes.

Ndërkohë, shqiptari, Anesti Koreta u arrestua në shtëpinë e tij në Londër. Brenda makinës i gjetën 38 mijë Paund. Koreta dhe vëllezërit Giaquinto u akuzuan dhe më vonë pranuan fajësinë me pretendimin e shpërndarjes së kokainës. Këta persona janë të parët ndër gjashtë persona gjithsej të cilët janë dënuar gjithsej me 45 vite burg. Hetimet u kryen nga policia në Gloucestershire mbi dyshimet se këta persona furnizonin me drogë zonën.

Autoritetet mundën që të infiltroheshin në dy banda të fuqishme që punonin në Gloucester. Siç shkruajnë mediat, ata mundën që të shkatërronin një grup kriminal të fuqishëm shqiptar, i cili ishte përgjegjës për shpërndarjen e sasive të mëdha kokaine.

Hetimet nisën në vitin 2020. Pas arrestimit të vëllezërve Giaquinto dhe Anesti Koretës, autoritetet ndoqën një shqiptar tjetër. Dhimitri Gjini, i cili jetonte në Londër dhe është parë duke shkëmbyer drogë në këmbim të parave me Uzar Kadodia.

Në makinën e shqiptarit u gjetën 60 mijë Paund. Këtu u zbulua se Gjini dhe Koreta kishin punuar së bashku për një kohë të gjatë. Ishte në fakt Gjini, ai që kishte mundësuar që Koreta dhe Giaquinto të takoheshin sëbashku. Që prej Prillit 2020 të kaluar ata kishin mundur që të shpërndanin 6 kilogramë kokainë me vlerë 600 mijë Paund.

Por nuk përfundonte aty. Autoritetet britanike mundën që të kapnin edhe çelësin që mundësonte furnizimin me kokainë. Bëhet fjalë për Dashnor Palin. 34-vjeçari kishte qenë i deportuar më parë pas dënimit për shpërndarje të kokainës dhe sepse kishte përdorur një identitet fals. Pali u arrestua në Birmingham dhe me vete kishte 10 mijë Paund. Hetimet zbuluan se Pali dhe Giaquinto kishin qenë shokë përpara se të nisnin bashkëpunimin.

U mësua se Dhimitri Gjini përdorte pajisje komunikuese të enkriptuara për të komunikuar me anëtarët e tjerë. Ndër të arrestuarit e grupit kriminal, Gjini është ai që mori dënimin më të madh me 10 vjet e 11 muaj burg. Anesti Koreta u dënua me 5 vjet e 11 muaj burg ndërsa Dashnor Pali me 7 vjet e katër muaj./tvklan.al