Shkencëtarët holandezë kanë ndërtuar embrione “sintetike” në laboratorin e tyre, duke përdorur qelizat e miut, pa përdorur spermën dhe vezët.

Zbulimi i qelizave burimore, i përshkruar në revistën Nature, nuk është për klonimin e njerëzve apo kafshëve, por për të kuptuar pse shumë shtatzëni dështojnë në një fazë të hershme.

Embrionet u bashkëngjitën në mitrën e një miu femër dhe u rritën për disa ditë. Studimi i procesit mund të ndihmojë pjellorinë njerëzore, thonë ekspertët.

Shumë dështime ndodhin para se një grua të mësojë se është shtatzënë, kur veza e fekonduar nuk arrin të vendoset në mitër.

Ekspertët nuk e kuptojnë plotësisht se pse ndodh kjo, edhe pse ka gjasa të jetë e lidhur me anomalitë në embrionin në rritje.

Studimi i zhvillimit të embrioneve të hershme është i ndërlikuar, si në aspektin etik ashtu edhe teknik.

Përdorimi i qelizave burimore, në vend të spermës dhe vezëve, për të ndërtuar modele embrionesh mund të ofrojnë një furnizim të mjaftueshëm për kërkime shkencore.

Qelizat burimore janë qeliza të papjekura që mund të kthehen në shumë lloje të ndryshme në trup gjatë jetës së hershme dhe rritjes.

Dr Nicolas Rivron nga Instituti Merlin i Universitetit të Mastrihtit dhe ekipi i tij krijoi strukturat e ngjashme me embrionin duke përzier dy lloje të qelizave burimore nga minjtë.

Nën mikroskop, ato dukeshin të njëjta me embrionet e hershme, me të njëjtin top sferik të qelizave që zakonisht do të vazhdonin të bënin placentën dhe foshnjën.

Studiuesit pastaj ishin në gjendje ta vëzhgonin implantimin e saj te minjtë, diçka që nuk është bërë më parë, megjithëse shkencëtarë të tjerë kanë krijuar embrione të qelizave staminale për kërkime.

Dr Rivron tha për BBC:

“Tani mund të gjenerojmë një numër shumë të madh të këtyre embrioneve dhe t’i studiojmë ato në detaje. Kjo mund të na ndihmojë të kuptojmë pse disa embrione dështojnë dhe të shohim për medikamentet që stimulojnë fertilitetin”.

/tvklan.al