Shahini: Masë parandaluese dhe frenuese, nuk ka asnjë nevojë e arsye për panik

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, teksa konfirmoi mbylljen e të gjitha institucioneve arsimore deri më datë 23 Mars, që u njoftua më herët nga Kryeministri Edi Rama, në një reagim në rrjetet sociale tha se kjo është masë parandaluese e frenuese dhe nuk ka arsye për panik. Shahini theksoi se fëmijët dhe të rinjtë nuk janë grupmoshë e rrezikuar nga koronavirusi, megjithatë ata mund të jenë bartës dhe kjo është arsyeja e pezullimit të mësimit.

“U vendos nga Task Forca për Koronavirusin që të mbyllen institucionet arsimore për periudhë dy javore, deri më 23 mars 2020. Kjo për arsye frenimi të përhapjes së virusit COVID-19, i cili është shfaqur në dy raste në Shqipëri. Masa është parandaluese dhe frenuese – nuk ka asnjë nevojë e arsye për panik. Po tregohemi shumë të kujdesshëm që të zvogëlojmë maksimalisht mundësinë e përhapjes së këtij virusi. Mbani mend që fëmijët dhe të rinjtë nuk janë grupmoshë e rrezikuar nga virusi, por mund të jenë bartës. Ndaj, do të pezullohet mësimi në institucionet arsimore”.

Ministrja përcolli gjithashtu disa masa që duhet të marrë gjithsecili, për të ulur sa më shumë mundësinë e prekjes nga koronavirusi.

“Masat që secili prej nesh duhet të ndërmarrë individualisht: Të lajmë duart shpesh për 20 sekonda; Të evitojmë takimin deri në 1 m largësi; Të evitojmë grumbullimet e njerëzve”./tvklan.al