Rritet numri i viktimave në Itali të shkaktuar nga koronavirusi. Sipas zyrtarëve të shëndetësisë, 21 persona kanë humbur jetën në shtetin fqinj nga ky virus.

Pacientët që kanë ndërruar jetë gjatë orëve të fundit janë mbi 70 dhe 80 vjeç. Autoritetet shëndetësore kanë sqaruar se këta pacientë vuanin nga sëmundje të tjera, dhe koronavirusi rëndoi gjendjen e tyre shëndetësore.

Rritje ka njohur edhe numri i personave të prekur. Sipas të dhënave zyrtare, në Itali rezultojnë 821 persona të infektuar nga koronavirusi. Por gjysma e tyre, 412, janë me simptoma të lehta dhe nuk është parë e nevojshme që të shtrohen në spital. 345 të tjerë janë nën kujdesin e bluzave të bardha, kurse 64 pacientë mbahen nën kujdes intensiv.

Italia është një nga shtetet me numrin më të madh të personave të infektuar me koronavirus, ndërsa ende nuk është zbuluar pacienti zero, pra ai që ka përhapur virusin në këtë shtet. /tvklan.al