Një javë para referendumit në Maqedoni, autoritetet vendase janë vënë në gatishmëri maksimale për të parandaluar çdo lloj nderhyrje që synon dështimin e referendumit për marrëveshjen me Greqinë për emrin. Në një konferencë për shtyp, ministri i Brendshëm Oliver Spasovski njoftoi se ka urdhëruar policinë të reagojë ndaj çdo përpjekjeve për të penguar qytetarët të votojnë.

“Maqedonia është vend i lirë demokratik me sjellje evropiane. Çdo lloj presioni, kërcënimi ose shantazhI për votimin do të parandalohet dhe sanksionohet në përputhje me ligjin. Kjo vlen edhe për aktivitetet online”.

Shefi i kundërzbulimit maqedon Goran Nikolovski thotë se agjencia që drejton po heton mbi dyshimet se përpjekjeve për dështimin e referendumit i është bashkuar edhe Moska.

“Kemi konstatuar aktivitete që synojnë reduktimin e pjesëmarrësve në referendum, dështimin e referendumit, çka mund të shkaktojë një rrjedhojë ngjarjesh të tjera. Veç të tjerave kemi konstatuar përhapje të lajmeve të rreme e propagandistike”.

Pavarësisht se opozita zbuti qëndrimin e saj kundër referendumit, duke ndalur thirrjet për bojkot, Presidenti Gjorge Ivanov që vjen prej rradhëve të saj tha se nuk do të votojë më 30 Shtator. Sakaq ambasadori francez në Shkup befasoi me deklaratën e tij kur tha se nëse maqedonasit nuk pranojnë emrin Maqedoni e Veriut, ata do të izolohen si Koreja e Veriut.

Tv Klan