Kamioni cisternë humb kontrollin, flakët pushtojnë rrugën

Ky është momenti dramatik kur shoferët vrapojnë për jetën e tyre pasi një kamion cisternë shpërtheu, kur shoferi humbi kontrollin e mjetit në një kthesë.

Ngjarja në fjalë ndodhi të hënën, pranë Caraguatatuba në Brazil, një destinacion tejet popullor për turistët dhe vizitorët e përditshëm nga Sao Paulo.

Në video shihet momenti kur kamioni cisternë që po vinte me shpejtësi rrëzohet në anë të rrugës duke goditur makinat që ndodheshin përpara.

Fillimisht nga automjeti nis të dalë tym, ndërkohë shumë prej shoferëve të ndaluar dalin jashtë mjetit duke parë çfarë po ndodh. Papritur cisterna shpërthen dhe flakët përhapen me shpejtësi përgjatë rrugës, por edhe në anën e kundërt të saj ku ndodhen pemë. Në këtë pikë njerëzit nisin të vrapojnë. Në mesin e tyre është edhe një person që mban në krahë një fëmijë.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja DailyMail, shoferi i cisternës, që transportonte rreth 40 litra karburant, mbeti i vrarë. Dy prej personave që ndodheshin në automjetin e goditur nga kamioni arritën që të shpëtonin duke dalë nga makina e tyre përpara shpërthimit.

Për ngjarjen autoritetet braziliane nisën hetimet, ndonëse pamjet e aksidentit tregojnë se shoferi po udhëtonte me shpejtësi ndërkohë që u fut në kthesë. Mediat lokale shkruajnë se ai bënte të njëjtën rrugë çdo ditë./tvklan.al