Të gjithë personat e përfshirë në plagosjen që ndodhi mbrëmjen e së premtes në një dhomë hoteli në Ksamil janë arrestuar.

Autori Edison Vyzaj, i plagosuri Tauland Beqiri dhe një italian Makawitage Perera janë vënë në prangat e policisë pas zbardhjes së ngjarjes nga ana e policisë. Ndryshe nga çfarë u raportua në fillim për një plagosje nga pakujdesia, Vyzaj ka qëlluar me dashje ndaj 27-vjeçarit Beqiri.

“Falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë, u bë zbardhja e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-Edison Vyzaj, 28 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale ”Plagosja e rëndë me dashje”, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

-Tauland Beqiri, 27 vjeç, banues në Këlcyrë, Përmet, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ”Moskallëzimi i krimit”;

-Makawitage Perera, 24 vjeç, banues në Itali, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe ”Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës””, thuhej në një njoftim të policisë.

Policia sqaron se Vyzaj ka plagosur me pistoletë shokun e tij, Tauland Beqirin, ndërsa 24-vjeçari Perera ka fshehur armën e zjarrit të përdorur në këtë ngjarje. Kur është dërguar në spital, Beqiri ka refuzuar të japë gjeneralitetet dhe të tregojë rrethanat e ngjarjes.

Nga shërbimet e Policisë, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë zjarri e llojit pistoletë, me një karikator me 3 fishekë dhe një sasi lënde narkotike kanabis sativa, e cila është gjetur gjatë kontrollit në dhomën e hotelit ku qëndronin këta persona.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

E shkuara e errët e autorit Edison Vyzaj

Edison Vyzaj është një emër i njohur për autoritetet policore italiane. Ai u arrestua në vitin 2012 si pjesë e një grupi grabitësish, që drogonin personat e grabitur. Atë kohë, La Repubblica raportonte për vjedhjen me forcë të një banesë.

“Nuk kemi dëgjuar asnjë zhurmë, dhe nuk kemi vënë re asgjë. Ramë të flinim dhe gjithçka dukej në rregull. Me shumë mundësi na kanë droguar. Nuk ka shpjegim tjetër”, u shprehën pronarët e shtëpisë.

Grabitësit morën çfarë gjetën, para cash, televizor, kompjuter, celular, orë, varëse dhe byzylykë etj. Po ashtu grabitën edhe një makinë, por ky ishte gabimi i tyre. Kështu, ranë në gjurmët e Edison Vyzajt të cilin e arrestuan pasi e gjetën me makinën e vjedhur. Në banesën e tij u gjet drogë dhe gjëra të vjedhura. /tvklan.al/tvklan.al