SHÇBA ka arrestuar Lavdosh Metaj, i gjendet kokainë në banesë

Pas një hetimi disa mujor me metoda speciale është vënë në pranga për trafikim narkotikësh punonjësi i forcave Shqiponja në komisariatin e Sarandës Lavdosh Metaj.

Hetimet janë kryer nga agjentet e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, strukturuar që ka për detyrë të hetoj punonjësit e policisë. 35-vjeçari Metaj u arrestua në flagrancë, për veprën penale “prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.

SHÇBA bënë me dije se nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës u grumbulluan fakte se punonjësi i policisë Lavdosh Metaj, kryente në mënyrë sistematike shpërndarje të narkotikëve në ambiente të populluara argëtimi me muzikë në qytetin bregdetar.

Efektivi i Shqiponjave është vëzhguar në terren dhe përgjuar nga agjentët në mënyrë që të mblidheshin prova për dokumentimin e ngjarjes. Gjykata e Sarandës ka lejuar që të kontrollohej edhe banesa e Lavdosh Metajt.

Hetuesti gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lëndë narkotike e llojit kokainë në sasinë 5 gramë, e ndarë në 11 doza. Po ashtu gjatë kontrollit të banesës u sekuestrua edhe një sasi tjetër prej 165 gramë lëndë narkotike e dyshuar si kokainë dhe një peshore që përdorej për peshimin e saj në procesin e ndarjes në doza.  

Sipas SHÇBA-së, efektivi i Shqiponjave Metaj veprimtarinë e kundraligjshme e kryente gjatë kohës së shërbimit dhe jashtë saj. Ndërkohë vijojnë hetimet për të zbuluar edhe personat e tjerë të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. 

Klan News