“Shpërthimi i një bombole gazi në një dyqan argjendarie në zonën e ish-Bllokut për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi. Policia dhe forcat e zjarrfikëses po punojnë për të zbuluar shkaqet e aksidentit”.

Shpërthimi ndodhi në orën 13:15 minuta në rrugën Vaso Pasha, vetëm disa metra larg një pike karburanti. E gjithë zona u mbulua nga retë e tymit. Për pasojë mbetën të plagosur 6 persona, mes tyre pronarët e argjendarisë Sokol dhe Alma Pire 52 dhe 43 vjeç që janë në gjendje të rëndë.

Dy prej të plagosurve Ardaniel Serjani, 23 vjeç dhe Enenda Nure, 18 vjeç ndodhen në urgjencën e spitalit, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. 18-vjeçarja është punonjëse e argjendarisë, ndërsa Serjani dhe një 23-vjeçar kanë qenë kalimtarë të rastit. Të plagosur janë edhe 2 të rinj po ashtu kalimtarë të rastit që kanë lënë ambientet e spitalit.

Të parët që u kanë dhënë ndihmën të lënduarve kanë qenë qytetarët.

Pas pak minutash në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse dhe ato të policisë.

Nga veprimet e para hetimore mësohet se ka shpërthyer një bombol hidrogjeni që ishte vendosur në bodrumin e dyqanit, e cila shërbente për punimet e floririt. Rrethanat e këtij shpërthimi janë ende të paqarta, ku më shumë dritë pritet të hedhin dëshmitë e pronarëve të argjendarisë dhe punonjëses që mbeti e plagosur.

Tv Klan