“Kush garanton që nuk do përgjojnë Nanon që kritikon këtu?

Paketa anti-KÇK, që pritet të luftojë krimin e organizuar, si pjesë e saj parashikon edhe një njësi speciale policore. Pikërisht për këtë “super polici”, gazetari Blendi Fevziu, në një lidhje direkte nga studio e “Opinion”, e pyeti Zv/Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari nëse ka garanci që kjo polici nuk do të keqpërdoret për interesa politike.

Blendi Fevziu: Kush më garanton mua që nesër grupi i punës nuk thotë që ta zëmë zoti Basha, zonja Kryemadhi ose një kundërshtar tjetër politik ka të ardhura të pa justifikueshme sipas tyre dhe të vihet në përgjim të plotë dhe ky përgjim nuk përdoret pastaj për indicien bazë që ka, që mund të jetë dhe fake, por përdoret për interesa politike?

Besfort Lamallari: Çdo politikan, përfshirë edhe mua bën deklaratë të pasurisë. Që në këtë pikë, është e pakuptimtë sesi deri më sot për shembull këta persona që kanë pasuri, vila, makina luksoze që e shfaqin edhe haptazi fare dhe ata minimalisht nuk bëkan një deklaratë të tillë. Dhe është shumë e thjeshtë, të gjitha organet kompetente, mjafton të bëjnë verifikim të tyre dhe do të kuptojmë që cilat shtesat e pasurisë dhe burimi i pasurisë.

Blendi Fevziu: Po nëse ju vini në punë përgjimin e telefonave, përgjimin ambiental, marrjen e të dhënave telefonike, pastaj ku shkojmë? Se mund të përgjoni një deputet, një shef të opozitës, një person të rëndësishëm që mund të përdoret politikisht po them.

Besfort Lamallari: Çdo ligj, përfshirë edhe paketa Antimafia, edhe aty jam i bindur që edhe në atë kohë ka pasur shumë alarm, shumë frikë.

Blendi Fevziu: Po, por ka pasur një harmonizim mes institucioneve, kurse në këtë rast nënkomisari i policisë të ve telefonin nën përgjim.

Besfort Lamallari: Jo absolutisht nuk është kështu. Unë thashë që ka një grup pune që po vendos, janë edhe ekspertët më të mirë përfshirë edhe ta ndërkombëtarë.

Blendi Fevziu: Me këtë ligj që i jep fuqi policisë, kush më garanton që duke u nxehur me Mustafa Nanon që kritikon këtu, i bën përgjim Nanos, kush e garanton këtë? Dhe ai thotë që kam dyshime që Mustafa Nano jeton më mirë sa deklaron, kush e verifikon këtë?

Besfort Lamallari: Tani siç e kishim ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ashtu kemi dhe ligjin, aktin normativ, i cili pastaj kalon dhe në parlament. Nuk kemi asnjë masë që do merret nga qeveria që ndërhyn në gjyqësor. Unë sapo thashë që e para njëherë kjo është konsultuar edhe me ekspertët ndërkombëtarë që janë të pranishëm këtu dhe kanë asistuar prej vitesh si Policinë e Shtetit, ashtu dhe gjyqësorin./tvklan.al