Vonesat, radhët e gjata dhe pritja e mijëra shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës në kufirin mes dy vendeve duket se do të marrin një zgjidhje. Nga një 1 Janari i vitit të ardhshëm, Shqipëria dhe Kosova do të kenë pika të përbashkëta kufiri. Firmat janë hedhur nga ministrat e Brendshëm të dy vendeve, në pikën kufitare të Morinit.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili u shpreh se ndoshta brenda 3 muajve, mund të mos ketë më kontrolle në kufi.

Me këtë marrëveshje mes dy qeverive, hiqen një sërë barrierash dhe lehtësohet kalimi i njerëzve dhe mallrave. Prej vitit të ardhshëm do të këtë një menaxhim të integruar të kufirit mes dy policive, duke bërë të mundur shmangien e dy kontrolleve. Qytetarët, automjetet dhe mallrat, të cilët hyjnë ose dalin nga territori i palëve, do t’u nënshtrohen kontrolleve të përbashkëta nga autoritetet vetëm një herë, bazuar në parimin “Një ndalesë, një kontroll”.

Gjithashtu, nga 1 Janari të gjithë mallrat të cilat kanë si destinacion tregun e Kosovës do të kontrollohen nga agjentët doganorë kosovarë, të cilët tashmë do të kenë zyrën e tyre në Portin e Durrësit. Baza e këtyre vendimeve u hodh në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 26 Nëntor në Pejë ku u firmosën 9 marrëveshje.

Tv Klan