Shqipëria ka festuar 60 vite si anëtare e UNESCO-s. Në një aktivitet të organizuar për këtë përvjetor ishin të pranishem ministrat Bushati, Kumbaro, Klosi e Nikolla.

Krahas dhjetëra zonave që kanë pasaportën e trashëgimisë botërore, rajoni i Ohrit është dosja e radhës që po shqyrtohet.

Duke e vlerësuar rëndësinë e këtij anëtarësimi, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati shprehu angazhimin e Shqipërisë për të qenë në linjën e parë të përpjekjeve, për të forcuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit përmes nxitjes, evidentimit dhe konsolidimit të trashëgimisë së përbashkët kulturore, shpirtërore dhe diversitetit kulturor.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, në fjalën e saj e konsideroi gati formale praninë e Shqipërisë në 30 vitet e para sepse sipas saj gjithçka nis me njohjen e vetes dhe tjetrit.

Ndërsa ministrat Klosi dhe Nikolla u ndalen tek rëndësia e prezencës së organizatës në vendin tonë dhe projektet e rëndësishme që janë ndërmarrë në këtë kuadër, qofshin ato në politikat mjedisore apo arsimore.

Tv Klan