Brukseli përsëriti dëshirën për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur pas miratimit të Kornizës Negociuese dhe plotësimit të kushteve të vendosura nga shtetet anëtare më 25 Mars 2020.

“Kemi arritur aty ku duhet me kushtet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Shqipëria së shpejti do të ketë zgjedhje, prandaj ne kemi shpresë që ato do të jenë të lira dhe të ndershme. Vendimarrja jonë bazohet në merita individuale të shteteve kandidate. Ne do t`ju paraqesim një propozim të ri shteteve anëtare që të miratohet kuadri negociator me Shqipërinë,” tha Varhely.

Ndërsa, Borrell tha se “nuk ka ende një datë për konferencën e parë ndërqeveritare. Kemi shprehur dëshirën që kjo konferencë të ndodh sa më shpejt të jetë e mundur. Pavarësisht faktit që Shqipëria ka bërë ecuri pozitive. Disa shtete anëtare janë të mendimit që duhet bërë më shumë nga Shqipëria që të organizohet kjo konferencë.”

Borrell e Varhely vlerësuan përparimin e bërë në përgatitjet praktike për zgjedhjet e ardhshme. Ata ranë dakord mbi nevojën për ndjekje të mëtejshme të të gjitha aspekteve që përmbajnë rekomandimet e OSBE / ODIHR, si dhe të Komisionit të Venecias.

Brukseli i dërgon një thirrje të fortë kryetarëve të partive politike që të kandidojnë për deputetë persona me integritet.

“Lidhur me zgjedhjet ne theksojmë nevojën që të gjithë të bëjnë të pamundurën që të sigurojnë që listat e kandidatëve për deputetë të kenë njerëz me integritet, që të deshmohet se vendi do të luftojë korrupsionin. Sa u përket zgjedhjeve ne kemi një mesazh për të gjithë udhëheqësit politikë, e të gjitha palët, integrimi evropian duhet të jetë një objektiv i të gjithëve e kërkohet angazhimi. Polarizimi i skajshëm s’është shenjë e pjekurisë politike, nuk i shërben vendit, pengon progresin e vendit e s’është në interesin e qytetarëve shqiptarë,” është shprehur Joseph Borrell Fontelles.

Sipas vlerësimit, qeveria shqiptare ka dhënë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nderkohë, Kryeministri Rama adresoi kritika ndaj BE-së për vonesat në sigurimin e vaksinave për Shqipërinë dhe shtetet e Ballkanit Perendimor.

“Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit u lanë mënjanë në shpërndarjen e vaksinave. Ishte një moment tronditës për njerëzit tanë. Ne nuk jetojmë në kufij me BE ne jetojmë brenda BE-së. Duke pasur edhe ne të sëmurët tanë, njerëzit tanë, që u ndjenë te zhgënjyer kur vaksinat nuk ishin, diçka që meritonin të kishin njësoj me të tjerët, ishte diçka shumë e keqe. Sot ka 140 vende që nuk kanë nisur asnjë injeksion, ka 10 vende që kanë 70 për qind të prodhimit,” tha Rama.

Ndërsa sa i përket vaksinave Oliver Varhely u shpreh se “edhe vendet anëtare kanë probleme me sigurimin e vaksinave por ne nuk kemi harruar Ballkanin Perëndimor. Po punojmë ditë e natë jo vetëm me COVAX dhe po ju them që brenda muajit do kemi një dërgese të parë nga COWAX për Shqipërinë me vaksina nga AstraZeneca.”

Klan News