Shqipëria, i vetmi vend në Europë që ndalon tamponin te privati


Shqipëria, i vetmi vend në Europë që ndalon tamponin te privati

15:52 21/07/2020

Penalizon me mijëra qytetarë, edhe ata që duan të udhëtojnë jashtë

Shqipëria është i vetmi vend në Europe që nuk lejon të kryhet testi i tamponit në laboratorë privatë.

Në rrethanat e pandemisë kjo analize është një domosdoshmëri për qytetarët që duan të dinë nëse janë mbartës te Covid apo për ata që duan të udhëtojnë jashtë.

Në Shqipëri një test i tillë mund të kryhet vetëm në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik, i cili kryen mesatarisht 300 teste në ditë për ata që kanë simptoma ose janë kontakte të personave të infektuar. Për ata që e kërkojnë këtë analizë si dokument udhëtimi, tamponi është i pamundur.

Për ta kryer tamponin, duhet njoftuar fillimisht Urgjenca Kombëtare në numrin 127.

“Sipas orientimit, nga Urgjenca Kombëtare po i drejtohem mjekut të familjes për të kuptuar nëse mund të kryejë tamponin e Covidit, në këte rast me qëllim udhëtimi”.

“Ne adresojmë vetëm rastet që janë potencial për të qenë mbartës të Covid – 19”.

As përmes Urgjencës Kombëtare dhe as përmes mjekut të familjes, tamponi nuk mund të realizohet për dikë që nuk ka simptoma dhe i duhet për të udhetuar, pasi kërkohet si dokument nga shumë vende të Europës apo edhe të rajonit, si Mali i Zi.

Ndryshe ndodh në vendet e rajonit, të cilet e kanë liberalizuar këtë shërbim, si në Maqedonine e Veriut.

“Ky është një laborator privat, ku të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm, mund të bëjnë sa herë të duan, sipas dëshirës, testin e tamponit të covid. Mjafton të paguajnë 80 Euro dhe përgjigjia del për disa minuta”.

Në Shqipëri janë disa laboratorë të ngjashëm që mund ta kryejnë tamponin. Dhe përgjigjia mund të merret brenda një kohe të shkurtër.

“Ky laborator mund ta bëjë testin e tamponit për çdo qytetar që ka nevojë të kuptojë nëse është prekur nga covid apo që i duhet si dokument udhëtimi për në vendet që e kerkojnë atë. Por nuk lejohet nga autoritetet. Nese do t’i jepej leja, çdonjeri mund ta merrte pergjigjen për 60 minuta deri 3 orë”.

“Po, ka disa laboratorë në Shqipëri që kanë kapacitetin për ta kryer.  Këtë lloj testimi PCR ne e kryejmë prej disa vitesh. Duke marrë mesataren prej 3 orësh ne mund të kryejmë 900 teste, që besoj e përballojnë fluksin ditor”, shprehet mjeku Vasil Llajo.

Televizioni Klan mëson se edhe Shqipëria do ta lejojë brenda pak ditësh që këtë shërbim ta ofrojnë spitalet dhe laboratorët privatë, por vetëm për qëllime administrative dhe kundrejt pagesës. Për të infektuarit me simptoma, tamponi do të vijojë të kryhet pranë Institutit të Shëndetit Publik, pa pagesë.

Tv Klan




Të ngjashme