Shqipëria me deficitin më të lartë tregtar për ushqime – TV KLAN

Shqipëria me deficitin më të lartë tregtar për ushqime

Mungojnë produktet e përpunuara vendase

“Në stendat e tregjeve dhe supermarketeve në Shqipëri dominojnë produktet e importit, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, ku prodhimet vendase zënë një peshë të konsiderueshme, duke pasqyruar një zhvillim më të madh të kësaj industrie në vendin tonë.”

“Afërsisht 50% e produkteve që shiten në marketet e Shkupit janë prodhime vendase.”

“Pas taksës së vënë nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe, është rritur interesi i qytetarëve për të konsumuar produkte vendase. Çmimet e këtyre produkteve janë kryesisht më të lira, por ato cilësore afrohen te çmimet e mallrave të importit.”

Administratori i Konfindustria-s, Gjergj Buxhuku thotë se Shqipëria ka një deficit tregtar të lartë krahasuar me rajonin, sidomos në fushën e mallrave të konsumit të përditshëm dhe këtu bëhet fjalë jo vetëm për prodhimet bujqësore, por industrinë përpunuese, ku futen pijet, ëmbëlsirat, vaji etj.

Për të, përgjegjëse për këtë situatë janë politikat që përdoren në vend, ku nuk mbështetet prodhimi i industrisë së ushqimit, por edhe manovrat në vendet rajonale, qeveritë e të cilave shpesh subvencionojnë industritë e mallrave që eksportojnë, duke përdorur politikën që njihet si “dumping”.

Ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë produktet vendase zënë një vend të konsiderueshëm në stendat e dyqaneve, madje që të jetë më e thjeshtë për t’u dalluar nga konsumatorët poshtë tyre vendoset flamuri.

Industrinë më të zhvilluar të përpunimit të produkteve ushqimore e ka Maqedonia e Veriut, e cila zë 11.5% në industrinë e përgjithshme të përpunimit.

“Nëse mund të themi se ka diçka Maqedonia janë produktet dhe pasuritë e produkteve natyrore që janë të jashtëzakonshme.”

“Shqipëria ka deficitin më të lartë tregtar në rajon për grupin ushqime, pije dhe duhan. Në fund të 2018-s vendi ynë importoi afro 1 miliardë euro produkte të kësaj kategorie dhe eksporti vetëm 260 milionë euro.”

Tv Klan

Kategori
EkonomiLajmet KryesoreTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione