Unioni Turistik: Të parët polakët dhe çekët. Deri në 20 fluturime në javë

Shqipëria fillon në javën e fundit të këtij muaji sezonin turistik për të huajt. Më 25 Maj pritet mbërritja e avionëve të parë charter me vizitorë polakë, çekë dhe ukrainas. Shoqata e Operatorëve Turistikë thotë se numri më i madh i turistëve që pritet të mbërrijnë është nga Polonia, ku parashikohet një fluks prej 20 fluturimesh në javë, ndërsa 3-4 fluturime do të bëhen nga Çekia.

“Të parët janë nga Polonia, ku priten deri në 20 charter në javë, kemi interes dhe nga Çekia dhe Ukraina, ndërsa më vonë priten nga Bjellorusia dhe Rusia”.

Të gjithë turistët që pritet të hapin sezonin në Shqipëri kanë bërë rezervimet një vit më parë, të cilat i shtynë për shkak të pandemisë së Covid-19. Për Rrahman Kasën, kreun e Unionit Turistik, e rëndësishme është që të paktën agjencitë dhe hotelet po arrijnë të arkëtojnë para, pas një viti me të ardhura minimale që shkaktoi situata e koronavirusit.

“Të gjitha janë rezervime të një vit më parë, por e rëndësishme është që po hyn likuiditet dhe po fillon që sektori të arkëtojë para, pasi derti tani pagesat kanë qenë të pezulluara.”

Operatorët turistikë kërkojnë që qeveria të rritë lobimin në vendet e Europës Perëndimore ku ka kategori turistësh që shpenzojnë më shumë. Ata thonë që është e padrejtë që shtete me numër infektimesh më të larta se Shqipëria nuk kanë barrierat kufitare që kemi ne.

“Nuk është e drejtë që vende me shifra infektimesh me Covid më të larta se në kanë pak ose fare barrierë për të udhëtuar ose për ata që kthehen nga Shqipëria. Duhen intensifikuar bisedimet mes qeverive në vendet perëndimore.”

Në 3 muajt e parë të vitit numri i net-qëndrimeve në hotele u ul me 7% krahasuar me periudhën Janar-Mars të vitit që shkoi, ndërsa u shfrytëzua vetëm 5.6% e kapaciteteve akomoduese, çka hoqi shpresat e operatorëve për të fituar sadopak nga turizmi kulturor që zhvillohet në pranverë.

Tv Klan