Erdhën vetëm nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia

Shifrat e turizmit në Shqipëri shënuan një rënie të thellë edhe gjatë korrikut, muaj i cili sëbashku me gushtin kanë patur historikisht numrin më të lartë të vizitorëve.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, krahasuar me një vit më parë në Shqipëri kanë hyrë nga jashtë 2.6 herë më pak qytetarë se një vit më parë. Në Korrik të 2019-s vendin tonë e vizituan 1.7 milionë qytetarë, ndërsa këtë vit vetëm 664 mijë.

Turistët nga Kosova mbeten të parët që kanë ardhur në Shqipëri këtë vit, të ndjekur nga ata të Maqedonisë së Veriut, por sërish numri i tyre rezulton i përgjysmuar krahasuar me një vit më parë.

Tkurrjen më të vogël e kanë patur hyrjet e emigrantëve nga Greqia, numri i të cilëve ra me vetëm 38%.

Turizmi do të jetë sektori më i prekur nga kriza e pandemisë së Covid-19.  Deri në fund të Qershorit numri i turistëve që hynë në vendin tonë ra me 70%, ndërsa për Korrikun rënia është 67%.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Hotelerisë e Turizmit, kjo industri punëson deri në 94 mijë persona, ndërsa kapacitetet e strukturave akomoduese janë shfrytëzuar në masën 25%, duke krijuar kosto të rënda për kompanitë e kësaj dege.

Tv Klan