60 shtëpi të grabitura në Gjermani dhe 45 në Francë. Ky është bilanci që bëjnë autoritetet për grupin e grabitësve të drejtuar nga disa shqiptarë, të cilët e kishin shtrirë aktivitetin e tyre në 1 vit e gjysmë në këto dy vende. Krahas parave kesh janë vjedhur edhe bizhuteri e orë, vlera të cilave në total i kalon gjysmë milioni euro.

Operacioni i autoriteteve gjermane, franceze, shqiptare dhe Europolit u finalizua të martën, duke vënë në pranga së fundmi 4 persona, njëri prej të cilëve në banesën e tij në Kukës.

Gazeta gjermane “Badische Zeitung” shkruan se përmes hetimeve financiare janë zbuluar transfertat në para, si dhe personat e tjerë të përfshirë në grupin prej më shumë se 40 vetësh. Në fillim të Korrikut u realizuan një seri kontrollesh nëpër shtëpi dhe restorante në Shqipëri, ku janë sekuestruar sende të vjedhura, si dhe prova të tjera.

Gjithçka nisi në fillim të fitit 2017, pas ngritjes së shqetësimit të policisë gjermane të Ofenburgut se në këtë zonë ishin shtuar vjedhjet nëpër shtëpi. Në atë kohë u arrestua 1 shqiptar ndërsa pati dyshime edhe për 2 të tjerë. Paralelisht edhe autoritetet franceze po hetonin një grup grabitësish që kishin shtrirë aktivitetin në të dy vendet.

Në Janar 2018 u arrestuan edhe 3 shqiptarë të tjerë në Gjermani dhe një në Paris. Nga ky moment hetimet u shtrinë edhe në Shqipëri, ku transferoheshin mallrat dhe paratë e grabitura.

Tv Klan