Policia italiane ka arrestuar në qytetin e Torinos, një 36-vjeçar shqiptar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Sipas mediave italiane, ky i fundit jetonte me prindërit, të cilët nuk dinin asgjë për aktivitetin e tij. Brenda makinës së 36-vjeçarit, policia me ndihmën e qenit të antidrogës, të quajtur Hakira, gjeti dhe sekuestroi 30 kg marijuanë, të fshehura në bagazh.

Gjatë kontrollit, shqiptarit iu gjetën edhe 3500 euro kesh, të fshehura në disa ngrirës ushqimesh. Ndërkohë hetuesit kanë nisur punën për të zbuluar bashkëpunëtorët e 36-vjeçarit, të cilët dyshohet se merreshin me shpërndarjen e drogës në sheshin e Torinos.

Operacioni i policisë nisi pas njoftimit të një personi, i cili kishte vënë re lëvizjet e dyshimta të shqiptarit. Gjatë kohëve të fundit policia e Torinos ka kontrolluar 54 shtetas të huaj, 5 prej të cilëve me rrezikshmëri të lartë, duke arrestuar 15 prej tyre. Kontrollet janë zhvilluar kryesisht në lagjet, Checchi, Alimonda dhe Borga Aurora.

/tvklan.al