“Era shumë e fortë, Presidenti është 100% në formë”

Pamjet e rrëzimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden teksa ngjiste shkallët e avionit Air Force One bënë menjëherë xhiron e botës duke ngritur pikëpyetje për shëndetin e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i stafit të Biden që tha se Presidenti 78-vjeçar ishte në 100% të formës së tij.  

Zëvendës sekretarja e shtypit së Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve në bordin e avionit se shkak për rrëzimin ishte bërë era shumë e fortë. “Siç e patë kishte shumë me erë jashtë. Unë vetë gati rashë duke ngjitur shkallët”, tha zëdhënësja gjatë kthimit në Uashington nga Atlanta duke shtuar se Presidenti është mirë.

Biden u pengua disa herë teksa ngjiste shkallët e avionit. Pasi arriti në majë u kthye dhe nderoi ushtarakisht si për të treguar se nuk kishte asnjë problem, por sërish vijoi duke çaluar.

Vetëm pak kohë më parë, kur sapo ishte zgjedhur President, Biden theu këmbën duke luajtur me qentë e tij, gjë që e detyroi të mbante patericë. Joe Biden është presidenti i vjetër i historisë së Shteteve të Bashkuara, por gjatë fushatës së vitit të kaluar stafi i tij lëshoi një deklaratë se Biden ishte i shëndetshëm dhe i aftë për presidencën.

Tv Klan