Shtirej si juriste për të liruar të dënuarin për vrasje, arrestohet 33-vjeçarja

Shtirej si juriste për të liruar të dënuarin për vrasje, arrestohet 33-vjeçarja

13:55 15/11/2019

Një 33-vjeçare është arrestuar nga policia pasi kishte marrë 50 mijë Euro duke u shtirur si juriste dhe mashtronte se do të ndikonte për të nxjerrë nga burgu një person të dënuar për vrasje.

E arrestuara Amarilda Leka nga Përmeti dhe banuese në Tiranë, ra në pranga gjatë hetimit të koduar “Bënça” për veprën penale mashtrim me pasoja të rënda. Ndaj saj është vendosur arrest me burg në mungesë më 13 Nëntor nga Gjykata e Tiranës.

Nga hetimet proaktive të policisë dhe prokurorisë u zbulua se 33-vjeçarja Amarilda Leka ka mashtruar shtetasin B. Z., me banim në Tepelenë, duke i marrë 50 000 Euro.

Të mashtruarit, Amarilda Leka iu prezantua si juriste pranë Gjykatës së Lartë dhe i premtoi se me njohjet që ka, do të ndikonte pranë trupës gjykuese në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda Tiranë dhe në Gjykatën e Lartë për të nxjerrë nga burgu 30-vjeçarin me iniciale A.M., i dënuar me 30 vite burg për vrasje në rrethana rënduese që kishte kryer në Memaliaj në vitin 2015.

Ky i fundit vuan dënimin në burgun e Bënçës në Tepelenë. /tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi