Shuhet në moshën 85-vjeçare bilbili i këngës popullore



Shuhet në moshën 85-vjeçare bilbili i këngës popullore

20:18 13/11/2020

Artisti i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Sali Brari, është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare. Lajmin e hidhur e jep Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

“Shtegtoi edhe një bilbil…. Në emër të drejtuesve dhe artistëve, TKOBAP i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, bashkëpunëtorëve dhe miqve të shumtë të artistit Sali Brari. I përjetshëm do të mbetet kujtimi i tij”, thuhet në reagimin e TKOBAP-së.

Sali Brari u lind në Tiranë më 18 maj të vitit 1935. Që në shkollën fillore u shpërfaq talenti i tij me zërin e ëmbël e të ngrohtë, duke u aktivizuar në aktivitetet muzikore të asaj periudhe. Në vitin 1956, Sali Brari u emërua këngëtar pranë Estradës së Shtetit. Me krijimin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në vitin 1957, ai iu bashkua kësaj trupe, derisa sa doli në pension. Gjatë kësaj periudhe, ai kreu edhe Liceun Artistik pranë degës e kantos.

Në repertorin e Sali Brarit gjen një larmi këngësh popullore, këngë të përpunuara, këngë popullore të krijuara nga kompozitorët tanë, deri tek interpretimi prej tij në operetën “Vjeshtë e artë” e kompozitorit Tish Daija si dhe opera “Skënderbeu”.

Po aq i suksesshëm ishte edhe në turnetë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore në Europë, Azi e Afrikë, duke i mahnitur të huajt me fuqinë interpretative dhe zërin aq të veçantë e melodioz. Për aktivitetin dhe kontributin e tij në fushën e interpretimit të muzikës popullore, Kuvendi Popullor e ka vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të I-rë./tvklan.al




Të ngjashme