Specialisti i antidrogës krijoi grupin e kanabisit në Durrës, dyshohet për përfshirjen e efektivëve të tjerë

Efektivi i Edvin Sinani i cili dyshohet se ngriti grupin e shpërndarjes së drogës me uniforma policie hetohej prej disa muajsh nga Shërbimi për Çështjet e brendshme dhe ankesat. Pas goditjes së disa grupeve të vogla që shpërndanin kanabis në Durrës, SHÇBA mori informacione në rrugë operative se pas tyre qëndronin efektivë policie që i mbështesnin. Janë dashur 6 muaj hetime që të arrihet në gjurmët e Sinanit i cili bashkëpunonte me trafikantët.

Sipas hetimeve, Edvin Sinani me detyrë Specialist për narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, organizonte persona për të shpërndarë drogën në vende të ndryshme të qytetit të Durrësit, të cilët nga ana tjetër e ndihmonin për të goditur grupet kundërshtare. Anëtarët e grupit të ngritur nga polici i cili u pezullua nga detyra, i jepnin informacione për shpërndarës të tjerë, me qëllim goditjen e tyre nga ana e tij. Hetimet kanë zbuluar se Sinani i vishte shpërndarësit e tij me uniforma policie për të bërë të mundur kapjen e konkurrentëve. Më pas i lironte duke mos i ndjekur penalisht.

Burimet bëjnë me dije se hetimet janë zgjeruar edhe tek disa persona të tjerë që dyshohet se ishin pjesë e aktivitetit kriminal. Ndërkohë nuk përjashtohet përfshirja e efektivëve të tjerë në këtë grup që shpërndanin lëndët narkotike.

Ky nuk është rasti i parë që efektivët e policisë përfshihen në trafikun e lëndës narkotike. Pak ditë më parë u arrestua dhe punonjësi i RENEA-s Xhulio Liçi i cili u kap bashkë me dy persona të tjerë duke shkëmbyer  1 kg kokainë.

Gjatë vitit 2020 SHÇBA ka arrestuar dhe proceduar penalisht 381 punonjës policie që janë përfshirë në shkelje të ligjit, ndërsa për vitin 2021 janë më shumë se 80 efektivë të dyshuar se kanë kryer veprimtari kriminale.

Klan News