Marrëdhënia e Erion Isait dhe Ajlin Petrelës, të ftuar në “Gjysma Ime” në “E diela Shqiptare”, është një xhiro e shpejtë, emocionuese dhe shumëngjyrëshe. Midis të qeshurave dhe humorit që i karakterizon të dy, ata kujtojnë episode shenjuese të jetës së tyre të përbashkët.

Një bashkëjetesë e hershme, e nisur që në muajt e parë të lidhjes, celebrimi, vajzat, por pa dasmë. Erion Isai shprehet se kishin shumë dëshirë të bënin një dasmë të madhe, por e stepte ideja pasi jo gjithmonë njerëzit tregohen dashamirës ndaj dikujt që mban një post ose shqetësimi se mos i mbetej hatri dikujt që mund të mos e kishin ftuar. Kështu që dasma shtyhej gjtihmonë, derisa erdhi momenti që Ajlin të merrte iniciativën dhe ta realizonte sipas mënyrës së saj, pikërisht më datë 17 Mars, data e puthjes së parë të tyre do të bëhej edhe data e martesës.

Ajlin Petrela: Dhe këtë vit, tani që jam me leje lindjeje kohën më të madhe e kaloj pranë Erionit, isha në Tiranë ato ditë dhe i them shoqes sime të ngushtë që dua t’i bëj një dasmë Erionit. “Si do t’i bësh dasmë?’’, më tha. I thashë “dua t’i shkoj në zyrë, e veshur nuse, pa ditur gjë”. Organizohem me ç’duhej marrë nga Tirana, fustanin e nuses, bëra gjithë përgatitjet e mia, ndërkohë kisha ngritur një grup WhatsApp-i me stafin e Erionit në mënyrë që asgjë të mos më çedonte dhe të mos nuhaste gjë. Në datë 17, në mëngjes…

Erion Isai: Ta tregoj unë tani pjesën time. Një ditë nga nga rutinat e punës sime në zyrë më hyn asistentja dhe më thotë “shefi, kemi një ceremoni celebrimi”, të cilat unë i bëj si kryebashkiak për çiftet. “Kur e kemi?”, “më datë 17”, ndërkohë dhe fushata kishte filluar. I thashë “pash Zotin se jemi me fushatë, ta lëmë, ta bëjmë më vonë”. Tha “jo, e duan te zyra jote, të vishesh me kostum sepse do ikin në Amerikë dhe do i çojnë edhe në ambasadë këto fotot e dasmës që të jenë edhe më të besueshëm”. Pranova. Erdhi dita, e arredova në kuptimin do sillnin foltoren me logo, do e vendosim etj.

Ajlin Petrela: E vendosi me duart e tij.

Erion Isai: Me duart e mia për çiftin për në Amerikë. Më datë 17 në mëngjes, gdhihem me probleme shëndetësore, nuk isha mirë, po fare. Shkoj në punë, i veshur me gold, xhaketë, piva një kafe në zyrë, nuk më dha efekt, thashë po e pi te lokali përballë. Dola të lokali në qendër të qytetit, marr këtë (Ajlinin) dhe i them “dëgjo kam këtë dasmën, aman bela e madhe, më kanë kërkuar me kostum, por nuk do vesh kostum se nuk jam mirë me shëndet”.

Ajlin Petrela: Mua më ra pika.

Erion Isai: Kjo: “a boll tani, nëse të kanë kërkuar me kostum, me kostum. Njëherë të takojnë ata, atë mbajnë mend”. Thashë “hajde po shkoj”. Ma besoni, jam veshur me kostum dhe aq pa terezi kam qenë sa e kam peng, kam një çafkë flokësh që s’e kam rregulluar. Shkoj atje i veshur me kostum, hap derën dhe shikoj familjen time, familjen e Inës, gjithë stafi im dhe kjo nuse. Martova veten time me dorën time./tvklan.al