Franca ishte pjesë e miqësoreve të Shqipërisë në periudhën e kualifikueseve. Skuadra e Deschamps nuk arriti të mundë kuqezinjtë, madje u largua me disfatë nga Elbasani përpara një viti. Të mërkurën në Marsejë do të luajnë për finalet e Euro 2016 dhe mesfushori Moussa Sissoko foli për vështirësinë e kësaj përballje.

“Ndeshja me Shqipërinë, ashtu si ajo me Rumaninë, do të jetë e vështirë. E njohim Shqipërinë, jemi përballur dy herë, i dimë cilësitë dhe dobësitë e tyre. Këtë ndeshje do ta marrim më qetë, pasi në të parën kishim presionin e ndeshjes së hapjes, që duhej fituar patjetër, gjithsesi kjo nuk do të thotë që do të jetë e thjeshtë”.

Futbollisti i Newcastle tregoi edhe mënyrën se si duhet ndalur kundërshtari.

“Është një ekip kompakt që mbrohet shumë mirë dhe qarkullon mirë topin. Kjo do të thotë që ne duhet të rrisim presingun që në minutat e para të ndeshjes, për t’i ushtruar sa më shumë trysni dhe për të bllokuar kundërsulmet e tyre, pasi veçanërisht krahu i tyre i majtë është i rrezikshëm”.

Franca ka pësuar vetëm një humbje prej sfidës së fundit me Shqipërinë dhe kjo ndaj Anglisë Nëntorin e kaluar.

Tv Klan