Sipas New York Times, në një javë luftimesh kanë mbetur të vdekur më shumë se 200 njerëz. Shumica dërrmuese e tyre janë palestinezë të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës. Ndërkohë që konflikti izraelito-palestinez po bëhet gjithnjë e më i përgjakshëm.

Gjatë tetë ditëve të fundit, ndërsa përpjekjet diplomatike kanë ngecur, Izraeli ka rritur dhe intensifikuar dhunën në fushatën e tij të bombardimeve kundër Hamasit.

Lufta po bëhet në fronte të shumëfishta. Sipas New York Times, duke iu  referuar Forcave Ajrore Izraelite, grupi militant Hamas, që sundon Rripin e Gazës, ka lëshuar më shumë se 3,300 raketa drejt qyteteve dhe qytetarëve izraelitë, duke vrarë të paktën 10 vetë. Ndërsa forcat izraelite gjatë trazirave në Bregun Perëndimor, kanë vrarë 20 palestinezë. Shkatërrimi më madh është në Gaza, një enklavë bregdetare me një dendësi prej rreth dy milionë banorësh. Forcat izraelite kanë goditur shtëpitë, kampet e refugjatëve, objektet mjekësore dhe ndërtesa e tjera.

Zyrtarët izraelitë kanë thënë se sulmet kanë për qëllim shkatërrimin e aftësisë së Hamasit për të bërë dhe lëshuar raketa dhe një rrjet tunelesh nëntokësore që përdoren nga Hamas për të lëvizur njerëz dhe pajisje luftarake. Deri tani janë vrarë të paktën 212 njerëz, përfshirë 61 fëmijë.

Të Shtunën, një sulm ajror izraelit shkatërroi një kullë të njohur që strehonte disa nga organizatat kryesore mediatike të lajmeve në botë, duke përfshirë The Associated Press dhe Al Jazeera. Sulmet sipas zyrtarëve palestinezë kanë shkatërruar 132 ndërtesa në Gaza dhe kanë lënë të pastrehë 2,500 njerëz, Konflikti shpërtheu në 10 Maj, pasi policia izraelite bastisi Xhaminë Aqsa në Jeruzalem, një nga vendet më të shenjta të Islamit, për të ndaluar sipas tyre protestuesit që po hidhnin gurë ndaj policisë izraelite. Pas kësaj Militantët e Gazës qëlluan me raketa drejt Jeruzalemit.

Kjo është dhuna më e ashpër që nga viti 2014, kur pushtimi shtatë javor i Gazës nga Izraelit dhe zjarri me raketa i Hamasit përfundimisht morën 2.200 jetë njerëzish duke bërë që zona të mëdha të Rripit të Gazës të mbeteshin të pabanueshme dhe të paralizonin jugun e Izraelit. Atëherë u deshën gati tre muaj që izraelitët dhe palestinezët të arrinin një marrëveshje armëpushimi.

Klan News