Lajme Arkiva – TV Klan 2004

E frymëzojnë legjendat, i japin jetë, forcë dhe mendim. Shumë prej tyre iu ka dhënë formën në bronz. CV e tij është shumë e veçantë, ka mbaruar arsim të mesëm për mekanike, por pasionet kanë qenë opera, skulptura, kafshët dhe aktrimi. Nuk ka mundur të studiojë prej asnjërës prej tyre, por i ka jetuar siç thotë dhe vetë, në mënyrë private.

Vetëm para pak kohësh ka luajtur një rol në filmin “Tirana viti zero” dhe ky është në pak fjalë skulptori autodidakt me origjinë nga Elbasani Vladimir Metani. Në shtëpinë e tij të thjeshtë, të vetmet gjëra të kushtueshme janë punimet e tij. Një legjendë shqiptare vjen në disa versione.

Vladimir Metani: “Kjo mbahet si legjenda më e madhe shqiptare, që Kostandini del nga varri për të mbajt besën me shku me marrë motrën e vetë, që të hapësh një varr do forcë të madhe, pra forca e brendshme e këtij shqiptari për me shku me mbajt fjalën”.

Dhe nga besa shkojmë tek murosja. Vladimir Metani është 53 vjeç dhe punon prej një jete në qendrën e realizimit të veprave të artit së bashku me 5 kolegë të tjerë. Ai e di që nuk do të jetë kurrë i pasur, nuk është i qetë nëse do të shiste ndonjërën prej punimeve të tij./tvklan.al

Gazetare: Mira Kazhani