E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë një nga këngëtaret më të talentuara dhe me një zë mjaft të bukur. Bëhet fjalë për Soni Malaj e cila së fundmi kemi zbuluar se është pjesë e “Këngës Magjike 2021”. Ajo rikthehet pas 10 vitesh në një bashkëpunim me “Three Dots”, ku ka shkëlyqer me baladën “Versioni im”. Gjatë intervistës, Soni ka treguar edhe si lindi ky bashkëpunim me “Three Dots” pas shumë vitesh.

Soni Malaj: Nuk e kisha fare ndërmend të merrja pjesë në “Këngën Magjike”, doja një pushim sepse isha në edicionin e kaluar dhe as e kisha në axhendën time artistike këtë gjë. Ardit Gjebrea më thotë kam dëgjuar një këngë shumë të bukur dhe çunat e “Three Dots” mendojnë që këtë këngë e këndon vetëm Soni Malaj. Po mirë thashë ok e dëgjojmë, shkova në studio dhe filloi kënga. Nuk e di pse thoja që nuk do jetë për mua. Kur e dëgjova, fillova të qaj dhe më rridhnin lotët dhe Bruno më vendosi një top me facoleta.

Rudina Magjistari: Ti dëgjove vetëm melodinë?

Soni Malaj: Ishte e kënduar bashkë me tekst dhe më goditi shumë sepse ishte një këngë që kalonte në tre etapa, fillonte si baladë, kishte një ritëm të brendshëm dhe kishte një shpërthim në fund gjë që ma bëri shumë të dashur, nuk më la të mërzitem. Pastaj ajo që më goditi ishte teksti, për mua kanë shumë rëndësi tekstet, më pëlqeu që ishte një këngë që fliste për një lidhje toksike, pavarësisht se ishte një lidhje që kishte nisur nga një dashuri shumë e madhe, por njëra palë mundohet ta mbajë më shumë sesa pala tjetër. Ndonjëherë këto marrëdhëniet e dashurisë që merren pastaj të mirëqena dhe për njërin nga partnerët bëhet shumë e lodhshme për ta mbajtur. Më pëlqeu, ishte shumë e bukur.

Rudina Magjistari: Pse është titulluar kështu?

Soni Malaj: Sepse vajza i thotë, sado që unë përpiqem të të ndryshoja, ti je versioni më i keqi i mi si njeri. /tvklan.al