Sopranoja e famshme shqiptare Inva Mula ka qenë e ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu më datë 05 Qershor të vitit 2000. Sopranoja me qëndrim në Francë ishte kthyer në Shqipëri në atë kohë pas një koncerti që kishte mbajtur në Prishtinë.

Gjatë emisionit Mula po ashtu foli për fillimet si soprano dhe si arriti të depërtojë në skenat ndërkombëtare.

“E ndjej që duhet të vij më shpesh në Shqipëri. Ardhja ime në Shqipëri është një rimbushje e atyre momenteve që unë i ndjej kudo. Profesioni më ka bërë të udhëtoj shumë dhe të mos kem vetëm një pikë qëndrimi siç është Parisi, por të kem një publik internacional. Kur kthehem në Shqipëri dhe takoj njerëzit që njoh kjo për mua është shumë e rëndësishme. Do të doja që karrierën time ta drejtoja për nga Shqipëria, por është e pamundur dhe koicidencat janë të pamundura. Edhe nëse vij një herë në vit nuk është pak.

Unë kam qenë gjithnjë e destinuar të bëhem këngëtare. Kur isha fëmijë ndiqja provat dhe koncertet e prindërve të mi, këndoja dhe imitoja, por më vonë m’u desh t’i kushtohesha shumë. Fillimet kanë qenë të hershme, që në festivalet e pionierit. Ishin momente që për një fëmijë ishin të vështira. Kam dalë në skenë që në moshën 4 vjeç. Kur isha 16 vjeç, adoleshente, e kisha vështirësi të vendosja për profesionin, por nëna ime Nina Mula ishte një lloj drite për mua që më udhëhoqi dhe u bë edhe pedagogia ime. Kam qenë gjithnjë e ndihmuar, por e para ka qenë Nina Mula.

Kur kam shkuar për herë të parë në Paris nuk e kisha menduar asnjëherë që mund të bëja një karrierë internacionale. U mundova të depërtoj, por të gjitha dyert m’u mbyllën. Unë punoja në TOB dhe m’u dha mundësia të studioja në Paris për 6 muaj, por ishin shumë pak. Gjatë kohës së bursës tentova në disa konkurse, fitova 3 dhe i fundit ishte ai që më hapi të gjitha dyert në vitin 1993. Tani është një moment i rëndësishëm në karrierën time dhe kudo që shkoj unë shkoj me emrin tim Inva Mula dhe njihem. Kam prekur teatrot më të rëndësishëm të botës”,tregoi Mula.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012