SPAK kërkon nga Kuvendi autorizim për t’i hequr imunitetin ish-Kryeministrit Sali Berisha.

Kjo pasi Berisha është deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe sipas ligjit duhet autorizim nga Parlamenti për t’i hequr imunitetin. Shkresa e SPAK për autorizim është dorëzuar pranë Kuvendit.

Sali Berisha është aktualisht me masë sigurie detyrim paraqitje dhe ndalim për daljen jashtë vendit.

Sali Berisha ka refuzuar që të njohë vendimin e Gjykatës së Posaçme dhe nuk është paraqitur pranë oficerit të policisë gjyqësore për të vlerësuar masën detyrim paraqitje.

Për këtë arsye, SPAK ka kërkuar që të ndryshojë masën e sigurisë, por nuk e ka përcaktuar nëse kërkon arrest shtëpie ose arrest në burg. Sidoqoftë, kërkesa për heqje imuniteti do të duhet të autorizohet nga Parlamenti, për shkak se konsiderohet masë shtrënguese në të dyja rastet.

Ish-Kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani, çështje për të cilën është nën hetim dhe në masë sigurie arrest shtëpie dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.


Kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha:


RREGULLORJA E KUVENDIT KUR KËRKOHET AUTORIZIM PËR HEQJEN E IMUNITETIT

Kërkesa e SPAK për Sali Berishën është marrë tashmë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe është protokolluar.

Pas marrjes së kërkesës nga SPAK, Kuvendi cakton datën dhe orën për mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandatit.

Në këtë mbledhje, prokurori/ët e SPAK kanë detyrimin ligjor të paraqesin para deputetëve provat ku mbështesin kërkesën e tyre për arrestimin e një deputeti.

Çdo deputet anëtar i Këshillit ka të drejtë të bëjë pyetje ndaj prokurorit/ëve.

Në mbledhje ka të drejtë të paraqitet edhe vetë deputeti në fjalë për t’u informuar dhe për të dhënë sqarimet e tij.

Pas mbledhjes, palët në Këshill, si nga mazhoranca dhe nga opozita dalin me një raport të përbashkët ose raporte sipas pretendimeve të palëve.

Më pas raporti i dërgohet seancës plenare dhe do të duhet të votohet në Parlament për heqjen e imunitetit ose jo.


/tvklan.al