Akuzohet për mosdeklarim pasurie ose fshehje e të ardhurave

Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla është zyrtari i parë i lartë që merret i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Jo zyrtarisht mësohet se prokurori i posaçëm Klodian Braho pritet të marrë të pandehur Llallën vetëm me akuzën e mosdeklarimit të të ardhurave ose fshehja e pasurisë.

I pyetur nga Televizioni Klan, avokati mbrojtës i Adriatik Llallës, Sokol Hazizaj, e cilësoi veprimin e prokurorisë si skandaloz.

Hetimet ndaj ish-numrit një të akuzës nisën dy vite më parë nga Prokuroria e Durrësit për katër vepra penale; atë të mosdeklarimit të të hollave në kufi, mosdeklarim pasurie, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

Më pas dosja në ngarkim të Llallës u trasferua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në Qershor të 2018-s vendosi në sekuestro një apartament në Durrës dhe disa sipërfaqe toke në Tiranë, vlera e të cilave shkon deri në 980 milionë Lekë.

Pas largimit të Llallës nga posti i Kryeprokurorit, Departamenti i Shtetit ndaloi publikisht hyrjen e Adriatik Llallës dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se ka informacione për përfshirje të tij në raste domethënëse korrupsioni.

Tv Klan