8 mijë vetë kaluan ilegalisht kufirin dhe hynë në Ceuta

As dislokimi i ushtrisë spanjolle në enklavën e Ceutas nuk e ndaloi valën e emigrantëve të paligjshëm nga Afrika Veriore që të hynë në këtë territor të Spanjës, duke kaluar kufirin e Marokut.

Deri tani rreth tetë mijë vetë, gra, burra dhe fëmijë mbërritën duke notuar dhe me varka të hënën dhe të martën. Kryeministri Pedro Sanchez që vizitoi enklavën të martën u zotua të rikthejë rendin.

Kthimi i atyre që kalojë kufirin vijon me shpejtësi dhe deri tani raportohet për rreth katër mijë të kthyer.

Kjo vale emigracioni ndodh në kulmin e përplasjeve diplomatike midis Madridit dhe Rabatit dhe ka dyshime se Maroku nuk i ndaloi qëllimisht emigrantët, pas zemërimit me Spanjën për kurimin e një lideri separatist.

Komisioneri i BE-së për migracionin, Margaritis Schinas, tha se “Europa nuk do të bjerë viktimë e këtyre taktikave.”

“Ceuta është Europë, ky kufi është i Bashkimit Europian dhe ajo që po ndodh nuk është vetëm një problem i Madridit, por një problem për të gjithë ne,” tha ai.

Brukseli ka shprehur solidaritet të plotë me Spanjën, nëpërmjet Komisioneres për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson që i bëri thirrje Marokut të “parandalojë nisjet e paligjshme të emigrantëve”.

Ngjarjet në Ceuta janë konsideruar një krizë e rëndë për Spanjë dhe Europën. Të paktën 1,500 e atyre që kaluan kufirin dhe telat me gjemba të qytetit me 85,000 banorë, besohet se janë adoleshentë.

Autoritetet thanë se kalimi i kufirit filloi rreth 2 të mëngjesit të së hënës.

Klan News