Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Lëvizja e ashtuquajtur reformuese e ndërmarrë nga kreu i Partisë Socialiste nuk është gjë tjetër veçse një lëvizje intrigash që Nano e ndërmerr gjithmonë kur partia është në krizë. Për deputetin e LSI Spartak Braho, lëvizja e nisur nga Nano është një praktikë e njohur tani nga të gjithë, por që nuk mund të zgjidhë krizën, që ka përfshirë prej kohësh partinë në pushtet.

Spartak Braho: “Nuk ka lëvizje reformuese në kuptimin e plotë dhe të saktë të fjalës, ka një lëvizje tjetër, një histori që përsëritet, demagogji reformuese, është e njëjta shtëpi PS-ja tashi që pjell vetëm intriga. Në qoftë se do të bëjmë një përafrim është ajo nisëm që u morë vjet e parvjet nga zoti Nano, “lëvizja për katharsis”, tani ka ikur Çukaj e na një tjetër, a Koçi e kush u përdor atëhere dhe përdoret një personazh tjetër siç është kryeredaktori i “Zërit të Popullit”. Nuk do të thotë reformim hiq ca, zëvendësoi me disa të tjerë. Kështu që unë jam plotësisht skeptik, PS tashmë vuan atë që Nano prej kohësh e ka mbjellë. Kjo është pikërisht ajo që ka thënë Nano në kongresin e kaluar, “mua mbrapa do më vijë historia”. Histori intrigash.”

Lidhur me debatin e lindur në mbledhjen e kryesisë nga kryeredaktori i “Zërit të Popullit” Erion Braçe dhe disa anëtarëve të tjerë të saj, Braho shprehet, se ai nuk është real dhe se Nano po e përdor Braçen si vegël për interesat e tij partiake.

Spartak Braho: “Braçja është një leckë që përdor Nanua, ose megafoni i tija, ashtu i ka përdorur dhe i përdor Nano, i merr, i afron, i ledhaton, u premton, pastaj i largon, i shmang, ndonjëherë edhe i kërcënon për ta futur në burg. Kështu që debati i krisur në të ashtuquajturën kryesi është debat që s’ka, nuk zhvillohet debat parimor, të tërë janë të pakënaqur, zihen atje brenda, dalin përjashta thonë, në qoftë se do të na heqë ne do të votojmë kundër, ai trembet, sepse i duhen votat, aktualisht është pa mazhorancë, s’ka asnjë gjë parimore ”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka