3 miliardë $ të mbledhura, ky do jetë eventi sportiv më i sponsorizuar në histori

Sponsorët kryesorë të TOKIO 2020 i kanë kërkuar organizatorëve që të shtyjnë Lojërat Olimpike për disa muaj, në mënyrë që në të, të marrin pjesë më shumë spektatorë. Në Japoni situata është mjaft e tensionuar, pasi një pjesë e mirë e opinionit publik është kundër organizimit të këtij eventi për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve dhe numrit të ulët të të vaksinuarve.

Kërkesa e tyre ka natyrë financiare, pasi frika e kompanive të mëdha është që fushatat e tyre të marketingut nuk do të kenë impak të madh pa spektatorët në eventet sportive, raporton Financial Times.

Janë 47 kompani të cilat kanë shfaqur shqetësim, ndërsa së bashku kanë paguar 3 miliardë dollarë për të mbështetur Lojërat Olimpike.

 Referuar shifrave, Tokio 2020 do të jetë eventi sportiv më i sponsorizuar në histori, por referuar sondazheve, 80% e popullsisë japoneze do që Lojërat Olimpike të anulohen ose të shtyhen në një periudhë, kur gjendja të jetë më e sigurt.

Kompanitë i tremben faktit se propozimi i tyre nuk do të merret në konsiderate, ndërsa gjykojnë se ka më shumë kuptim sipas perspektivës së tyre që eventi sportiv të zhvillohet kur të kenë vaksinuar më shumë njerëz, moti do jetë më i freskët dhe kundërshtia e popullatës më e ulët. Vetëm 11% e popullsisë është vaksinuar deri më tani në vend.

Klan News