Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Është mbledhur sot kryesia Sportklub Tiranës, për të kapërcyer momentet e vështira që po kalon ekipi i futbollit sidomos pas dorëheqjes së presidentit të saj Lutfi Nuri, i cili me mbështetjen e tij të madhe financiare ka kontributin kryesor në fitoren e trofeve të sezonit të kaluar. Ishin të pranishëm edhe kryetari i bahskisë Albert Brojka, zv/kryetari Buran Kaceli, e punonjësit e drejtorisë së sporteve pranë bashkisë të cilët analizuan situatën e krijuar dhe morën disa vendime për përmirësimin e shpejtë të gjendjes.

U vendos për ngritjen e një grupi pune për hartimin e statusit të ri të presidentit dhe të kontratës me klubin. Sekretari i klubit Sulejman Mema do të drejtoj stërvitjen e skuadrës deri në rikthimin e trajnerit Shkëlqim Muça i larguar për arsye shëndetësore. Ndërmjet të tjerash ftohet edhe ish-presidenti Lutfi Nuri që të vazhdoj angazhimin e tij deri në Asamblenë e radhës.

Mes një malli dhe emocioni të veçantë janë mbledhur së bashku dhe kanë festuar sportistet veterane të qytetit të Korçës. Grupi organizator i kësaj feste të bukur kishte bërë një punë të mirë për të evidentuar e ftuar sportistet që kanë marrë pjesë në veprimtarinë sportive të organizuar në Korçë e jashtë saj që pas çlirimit të vendit. Pjesmarrësit në këtë takim i përshëndetën edhe kryetari i bashkisë Dionis Kotmilo, deputeti Niko Faberi dhe inspektori i sporteve Vas Luadhi. Ishte i pranishëm dhe konsulli grek në Korçë Nikos Galidhis. Anthis Marashi foli për pjesmarrjen e grave në të gjithë llojet e sporteve duke kujtuar dhe sportistet e shquara Pançe, Frashëri, Çili, etj, që nuk jetojnë më.

Altrime Demiri, ish-Volejbolliste:- “Vij pas 36 vjetësh në Korçë, e cila më rriti dhe formoi si sportise dhe si njeri. Për sportin mund të them fjalët më të mira dhe për mua ka qenë një nënë”.

Vasilika Toska, ish-Volejbolliste:- “Më bëhet qejfi shumë që sportistet e vjetra të Korçës takohen përsëri, me një aktivitet kaq të bukur nga organizatoret mësuesja e talentuar Anthi Mele dhe Marika Çule”./tvklan.al