
Sputnik-V mund të përditësohet brenda dy ditësh
Zhvillohet teknologjia që e përshtat vaksinën ndaj mutacioneve
Instituti Epidemiologjik dhe i Mikrobiologjisë, Gamaleya i Rusisë ka zhvilluar mekanizmin që mund të përditësojë vaksinën anti-covid brenda dy ditësh në varësi të zhvillimit të mutacioneve.
“E njëjta teknologji e bazuar tek vektorët adenoviralë mund të përdoret për të vendosur sekuencën e re të proteinës,” i tha agjencisë ruse të lajmeve drejtori i institutit Alexander Gintsburg.
Sipas Gintsburg duhet diskutuar nëse pas këtij ndryshimi do të duhet të kryhen nga e para provat klinike tek njerëzit. Një gjë e tillë, shton Gintsburg, mund të kryhet vetëm tek një grup i kufizuar njerëzish.
Vaksina Sputnik-V e institutit Gamaleya u regjistrua gushtin e kaluar si e para vaksinë që parandalon sëmundjen COVID-19.
Dy vaksina të tjera janë duke u zhvilluar nga Rusia, ajo “Epi Vac Corona” e qendrës kërkimore “Vector” dhe “Kovi Vak” e qendrës kërkimore Chumakov të Akademisë së Shkencave.
Zhvillimi i teknologjisë për përditësimin e strukturës së vaksinës vjen pasi që prej dhjetorit të vitit të kaluar janë zbuluar disa mutacione. Më të përhapurit janë të Britanisë, Brazilit dhe Afrikës së Jugut.
Vaksina ruse Sputnik-V është miratuar për përdorim emergjent në mbi 50 vende të botës. Një sasi dozash ka mbërritur edhe në Shqipëri.
Klan News