“Standard & Poor’s” konfirmon vlerësimin B+



“Standard & Poor’s” konfirmon vlerësimin B+

15:55 01/08/2020

Paralajmëron uljen e renditjes nëse borxhi vijon rritjen

Pavarësisht dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit dhe efektet që ka dhënë në ekonomi situata e pandemisë së Covid-19, agjencia prestigjioze e vlerësimit “Standard& Poor’s”, e ka klasifikuar sërish me perspektivë të qëndrueshme ekonominë shqiptare, duke vendosur notën B+. Në rishikimin më të fundit të saj, agjencia paralajmëron se do të mund të ulë renditjen vitin e ardhshëm, nëse borxhi publik vazhdon rritjen dhe materializohen detyrimet e kontratave me partneritet publik privat.

“Ne mund të ulim renditjen gjatë vitit të ardhshëm, në rast se në të kundërt të pritshmërive tona, financimi i deficitit të jashtëm bëhet më pak i sigurt, duke ushtruar presion mbi rezervat. Ne do të ulnim gjithashtu renditjen, nëse stoku i borxhit qeveritar vazhdon rritjen, për shkak ose të deficitit më të lartë fiskal, ose të materializimit të detyrimeve nga partneritetet publike private (PPP).

Agjencia sheh si pozitiv faktin se qeveria ka siguruar mbështetje kreditore nga Institucione Financiare Ndërkombëtare për të financuar hendekun fiskal këtë vit dhe për të ndaluar presionet e bilancit të pagesave.

“Qeveria gjatë këtij viti arriti të emetojë edhe një Eurobond. Nëse ekonomia përkeqësohet më shumë nga sa parashikojnë institucionet, Qeveria ka ende hapësira për disa politika të mëtejshme.”

Sipas prestigjiozes “Standard& Poor’s” financat publike të Shqipërisë janë konsoliduar vitet e fundit. Deficiti u ngushtua në 1.9% të PBB-së në 2019 nga 5.2% në 2014, e udhëhequr kryesisht nga kufizimi i shpenzimeve.

Por “Standard & Poor’s” pret që ky deficit të rritet në 8.5% të PBB-së këtë vit për shkak të humbjeve në të ardhurave, shpenzimeve shtesë që lidhen me pandeminë dhe shpenzime të larta të kapitalit.

Ndërsa projekton që raporti i borxhit të përgjithshëm ndaj PBB-së të rritet në gati 80% në vitin 2020, duke u ulur në 2021 e më tej, si rezultat i shuarjes së masave të jashtëzakonshme dhe rimëkëmbjes së ekonomisë.

Gjithashtu agjencia vlerëson se sektori bankar, kryesisht i financuar nga depozitat dhe në pronësi të huaj, ka zvogëluar pjesën e tij të kredive me probleme në rreth 8% të totalit të kredive.  

Tv Klan




Të ngjashme