“Rudina” në Tv Klan priti kësaj here në studio një stilist të ri nga Kosova, i cili ka vetëm një vit që është prezantuar për publikun, ka një stil që po depërton lehtësisht dhe ka fituar admirueset e veta. “Gashani” quhet brandi i ri nga stilisti Tahir Gashani dhe ka hapur tashmë edhe showroom-in e tij në Prishtinë, pak ditë më parë.

Ëndrra e tij më e madhe ka qenë gjithnjë moda dhe ka punuar fort për të pasi ka nisur me skicat e para rreth klasës së tetë duke vijuar me studime për dizajn gjatë shkollës së mesme. Njëkohësisht, angazhohej me praktika pranë stilistëve që i gjykonte si të afërt me stilin e tij.

Marketingu i mirë i markës së tij vjen nga një kurs i ndjekur në Londër për marketingun e fushës së modës, i cili e ka ndihmuar të gjejë mirë objektivin e tregut të tij. Gjatë inaugurimit të showroom-it, Gashani realizoi edhe një lojë të bukur për të pranishmit, ku fituesja mori një fustan të stiluar nga ai.

Rudina Magjistari: Pati një surprizë ky event për të ftuarit. Cila ishte?

Tahir Gashani: Surpriza ka qenë një fustan që e kemi dhuruar për njërën prej të ftuarave që gjen diçka që nuk është në rregull me fustanin. Kemi vendosur një detaj fjongo në një fustan që nuk i shkonte dhe ajo që e gjeti atë detajin, e fitoi një fustan të dizenjuar prej meje me materialin që e kemi vendosur bashkë.

Rudina Magjistari: Shumë e bukur, duhet të ketë pasur sy shumë të sofistikuar që ta dallojë.

Tahir Gashani: Jemi përpjekur ta fshehim shumë që mos ta gjenin.

Gashani rrëfen gjithashtu që ka një lidhje tepër të fortë me mamanë e tij, e cila është edhe muza e frymëzimit. Për të ai u shpreh pikërisht kështu:

Me mamin e kam një afërsi që edhe mua duket ndonjëherë e çuditshme. Jam aq i lidhur me të sa çdo fustan që dizenjoj, e përfytyroj mamin duke shkuar në tapetin e kuq. Mendoj që kjo ndihmon të sjell gjithmonë më të mirën prej vetes sepse frymëzimin e kam te personi i preferuar i zemrës”. /tvklan.al