Tre orë përpara mbajtjes së protestës së thirrur nga opozita, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i ndodhur për një vizitë të shkurtër në Tiranë ka qenë i prerë në mesazhin e tij duke dënuar çdo akt dhune.

“Mosmarrëveshjet politike janë pjesë e demokracisë. Ajo që nuk është e pranueshme është dhuna dhe çdo përpjekje për të minuar institucionet demokratike. Prandaj ju bëj thirrje respektoni institucionet demokratike”.

Palët i ftoi që zgjidhjen ta gjejnë në tryezën e dialogut, ndërsa opozitës i kërkoi të mos bojkotojë zgjedhjet.

“Çdo mosmarrëveshje duhet zgjidhur përmes dialogut politik dhe përmes pjesëmarrjes në proceset demokratike. Zgjedhjet janë padyshim një pjesë themelore e procesit demokratik në shtetet aleate të NATO-s, përfshirë Shqipërinë”.

I pyetur nëse situata në Shqipëri është e  nxitur nga aktorë të tretë që janë të interesuar për destabilizimin e rajonit, Stoltenberg dha këtë përgjigje:

“Ne kemi parë përpjekje të Rusisë për t’u përfshirë në proceset e brendshme politike në vende të ndryshme duke përfshirë edhe në proceset demokratike të vendeve aleate të NATO-s”.

Mundësinë e ndërhyrjes ruse e komentoi edhe Kryeministri Rama që tha se pas protestave të opozitës mund të qëndrojnë skenarë për destabilizimin e vendit.

“Nuk është sekret ose mbase është sekreti më i madh publik që qasja e Rusisë ndaj NATO-s, ndaj BE-së, proceseve integruese nuk është një qasje miqësore. Së dyti nënvizoj faktin se në asnjë vend të NATO-s nuk ka ndodhur çfarë ka ndodhur këtu dhe çka disa forca kryesore të opozitës paralajmërojnë dhe mesa duket do të përpiqen që të ndodhë këtu. Nuk do të lejojmë asnjë formë destabilizimi që do të cënonte imazhin e vendit, organizimi i shfaqjeve të dhunshme është në një perimetër të vogël. Kjo është inskenim politik. Ne do të zhvillojmë zgjedhjet si proces i patjetërsueshëm”.

Pas takimit me Kryeministrin Rama, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u takua edhe me kreun e shtetit Ilir Meta, i cili e çmoi investimin e NATO-s në Bazën Ajrore të Kuçovës si një aset për sigurinë e vendit, rajonit dhe Aleancës.

Tv Klan