Ashpërsohen tonet mes NATO-s dhe Rusisë pas kërcënimit të Moskës se mund të godasë vendet aleate me raketa me mbushje bërthamore. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha për agjencinë ruse të lajmeve INTERFAX se NATO nuk dëshiron të izolojë Rusinë në një garë të re armartimi të “Luftës së Ftohtë”, duke u treguar kategorik se Aleanca kurrë nuk do të njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia.

“Rusia ka një sistem raketash që shkelin traktatin e raketave bërthamore me rreze të mesme veprimi. Këto raketa janë të lëvizshme dhe të vështira për t’u zbuluar. Ato mund të godasin qytetet europiane pa paralajmërim”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg zbuloi më tej se arsyeja kryesore që çoi në pezullimin e bashkëpunimit me Rusinë, ishte aneksimi i Krimesë nga Rusia.

I pyetur nëse NATO po kërkon të rrisë sferën e influencës, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës thekson se Perëndimi nuk beson në nocionin e vjetëruar të “sferave të ndikimit”, duke theksuar se NATO-ja është e përbërë nga shtete demokratike që secili ka marrë në mënyrë të pavarur vendimin për t’u bashkuar me aleancën.

Si shembull ai solli Maqedoninë e Veriut, vend që do të bëhet anëtari i 30 i aleancës pasi vendet e NATO-s të ratifikojnë marrëveshjen e pranimit.

Tv Klan