Ne filmin e tij të dytë me metrazh të gjatë, skenaristi dhe regjisori Robert Budina e ka gjetur frymëzimin tek natyra.

Për këtë arsye “Streha mes reve” është xhiruar mes mrekullive të Valbonës dhe Dragobisë. Filmi ka në qendër marrëdhënien shumëdimensionale të njeriut, të rrëfyer përmes Besnikut, një i ri me probleme mendore që i shërben babait të tij, në një familje dhe një zonë ku mbizotëron bashkëjetesa fetare.

Është një vlere unike e popullit shqiptar që nuk doja ta lija pa ja treguar botës, por thelbi nuk është bashkëjetesa fetare. Thelbi është marrëdhënia e njeriut me familjen, me dashurinë, besimin në Zot dhe natyrën. Përcjell një mesazh shumë të qartë si mund të duam ne Zotin nëse nuk duam njerëzit tanë të familjes

”, tha Budina.

“Streha mes Reve”, do të përfaqësojë kinematografinë shqiptare në Festivalin e Filmit në Talin, duke e bërë kështu të jetë pjesë e rëndësishme e industrisë së filmit në Europë dhe në botë.

“Është një mundësi e artë për ne që jemi pjesëmarrës në Festivalin e Talinit, një nga 14 festivalet me të mirë në botë dhe 7 më të mirët në Europë. Konkurrenca është e madhe. Prodhohen rreth 7 000 filma në botë dhe vetëm 300 prej tyre shohin dritën e festivaleve dhe në festivalet e kategorisë A, shkojnë vetëm një pjesë e këtyre filmave.”

“Streha mes Reve” merr akoma më shumë peshë me interpretimin Besnikut nga aktori me famë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj, i njohur për rolet e tij në filmat “Taken” apo “Harry Potter”.  Filmi do ta ketë premierën në Shqipëri në datën 13 Dhjetor 2018.

Tv Klan