Në një intervistë për Zërin e Amerikës, i ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, David Wisner foli për mbështetjen e SHBA-ve ndaj sektorit të drejtësisë, dhe tha se e ardhmja e Shqipërisë nuk qëndron tek njerëzit e përfshirë në korrupsion. Wisner ngriti dhe shqetësimin për sulmet e fundit ndaj Prokurorisë së Posaçme.

David Wisner, i ngarkuari me punë i SHBA në Tiranë: Është shqetësuese të shohësh ato sulme që kemi parë, dhe nuk ka vend këtu dhe ç’është më e rëndësishmja shqiptarët nuk e duan këtë. Shqiptarët duan që udhëheqësit e tyre publik të punojnë për interesat e tyre, për ta bërë të nesërmen më të mirë dhe mund të them së këtë synon të bëjë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara përkrah tyre.

I ngarkuari me punë përgëzoi dhe rikthimin në normalitet të Parlamentit, por nga ana tjetër theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndryshuar qëndrimin e tyre për personat e shpallur “non grata”.

David Wisner, i ngarkuari me punë i SHBA në Tiranë: Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar, në vazhdojmë të mos angazhohemi me personat e shpallur “non grata” sipas sanksioneve tona për korrupsion. Dhe dua të vërej se gjithë ato sanksione kanë përfshirë gjithë spektrin politik pavarësisht asaj që u pëlqen disa njerëze të thonë këtu. Pra ajo ç’ka ne po bëjmë këtu është që ne po punojmë me parti politike, shoqëri civile, me njerëz me të gjithë spektrin për t’u munduar ta bëjmë Shqipërinë një vend më të mirë natyrisht.

Por në të njëjtin aspekt siç e thashë edhe më parë, ajo që shqiptarët duan vërtet janë njerëzit që punojnë për interes të popullit shqiptarët dhe jo për interesat e tyre personale dhe mendoj se e ardhmja e këtij vendi nuk qëndron tek njerëzit e përfshirë në korrupsion. Partitë politike duhet të prezantojnë ide të rëndësishme, të paraqesin alterantiva reale qeverisëse dhe natyrisht duhet të prezantojnë kandidatë që njerëzit duan t’i votojnë. Kam shumë besim kur dëgjoj shqiptarët të më thonë se duan të kthejnë faqe dhe duan të kenë opsione reale që duan të funksionojnë në interes të tyre.

Sipas të ngarkuarit me punë, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur udhëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian përmes sundimit më të fortë të ligjit, dhe rritjes së transparencës gjyqësore.

Klan News