Shtëpia e Bardhë: Sulmet në Odesa tregojnë se ndihma për Ukrainën është urgjente

Shtëpia e Bardhë ka reaguar për shpërthimin e fortë të shkaktuar nga një sulm rus, që goditi qytetin e Odesës gjatë një vizite të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis në vendin e shkatërruar nga lufta. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller ka shpjeguar se SHBA është në kontakt të vazhdueshëm me Greqinë dhe Ukrainën pas incidentit.

“Sulmi në Odesa  na kujton se Rusia vazhdon të godasë Ukrainën çdo ditë. Është një  shenjë e nevojës së Ukrainës për sisteme të mbrojtjes ajrore dhe një shenjë  se Kongresi i SHBA duhet të veprojë, siç i kemi kërkuar ne, në mënyrë që të mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.”

Edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dënoi sulmin, të cilin ajo e përshkroi në një postim në rrjetet sociale si një përpjekje të re terrori nga Rusia.

Mediat greke bëjnë me dije se sulmi dyshohet se kishte në shënjestër autokolonën e Presidentit Volodymyr Zelenskyy, e cila ishte 150 metra larg delegacionit grek.

Sulmi i cili mori jetën 5 persona ndodhi teksa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy po i bënte një turne kryeministrit të Greqisë në qytetin e shkatërruar nga lufta.

Gjatë luftës, edhe lider të tjerë të huaj kanë bërë udhëtime të shumta në Ukrainë dhe herë pas here janë kapur nga kamerat duke u strehuar për shkak të bombardimeve ajrore.

Klan News