Ngjarja e rëndë e ndodhur të hënën në Tiranë, ku 34-vjeçari Rudolf Nikolli plagosi me thikë 5 besimtarë myslimanë në xhaminë Dine Hoxha, që ndodhet në Rrugën e Kavajës, është pasqyruar gjerësisht në mediat ndërkombëtare.

Shqiptari me thikë plagos 5 persona në një xhami në Tiranë”, shkruan The Washington Post, që jep një panoramë të plotë të gjithë ngjarjes, ndërsa shkruan se motivet nuk dihen ende.

E përditshmja amerikane përcjell edhe rrëfimin e babait të 34-vjeçarit, por edhe reagimet e imamit të xhamisë, Ahmed Kalaja, ashtu sikurse edhe reagimin e kreut të Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu.

Washington Post sjell edhe një pasqyrim të historisë së Shqipërisë sa i takon fesë.

“Feja në Shqipëri ishte e ndaluar për 23 vjet nën regjimin komunist të diktatorit Enver Hoxha, i cili e shpalli Shqipërinë si vendin e parë ateist në botë, nga viti 1967 deri në rënien e tij në 1990. Autoritetet fetare të të gjitha feve u vranë, torturuan, u burgosën ose u dërguan në kampe pune”.

“Papa Françesku e vizitoi për herë të parë vendin e dominuar nga myslimanët në vitin 2014, duke e quajtur harmoninë fetare në Shqipëri, një shembull frymëzues për botën”, shton më tej Washinton Post në shkrimin e saj.

“Sulmi me thikë në xhami shokon myslimanët shqiptarë”, kështu e titullon Balkan Insight shkrimin e saj për ngjarjen, ndërsa që në hyrje thotë se i autori dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

“5 të plagosur me thikë në një sulm brenda një xhamie në Shqipëri”, shkruan Reuters, që pasqyron gjithashtu ngjarjen.

Për ngjarjen shkruajtën edhe shumë media të tjera si Euronews, The Indian Express etj.

34-vjeçari Rudolf Nikolli, i cili u arrestua menjëherë pas ngjarjes, u mor në pyetje nga hetuesit, por dëshmia e tij nuk ka ndihmuar për të zbardhur motivet që e çuan të ndërmerrte aktin e rëndë. Çështja në fjalë po ndiqet nga Drejtoria e Antiterrorit.

Sa i përket të lënduarve, pasi morën mjekimin ata u larguan për në shtëpitë e tyre. Edhe situata në xhaminë Dine Hoxha është normalizuar./tvklan.al