Një sulm nga dy persona la të plagosur rëndë biznesmenin 45 – vjeçar nga Rrësheni, Landi Gjet Noka mesditën e së mërkurës, në hyrje të qytetit të Lezhës.

Ai ka marrë plagë në pjesën e kokës dhe ndodhet në terapi intensive në Spitalin e Lezhës.

Policia thotë se autorët e kanë ndjekur 45 – vjeçarin, që lëvizte më mjetin e tij dhe sapo ka dalë nga superstrada për në rrugën hyrëse të Lezhës, e kanë parakaluar duke i dalë përpara me automjetin e tyre.

Nga verifikimet e policisë ka rezultuar se autorë të plagosjes së biznesmenit janë shtetasit, Landi dhe Gjergj Kaçorri, të cilët janë shpallur në kërkim.

Sipas versionit zyrtar, autorët janë konfliktuar fizikisht me biznesmenin duke e goditur me mjete të forta në kokë dhe më pas janë larguar duke qëlluar në ajër me armë zjarri.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e proves materiale 2 gëzhoja pistolete.

Megjithatë burime nga Spitali i Lezhës i thanë Televizionit Klan se, plaga në kokë e biznesmenit mund të jetë shkaktuar edhe nga qitja me armë zjarri.

Një nga autorët, Landi Kaçorri, rezulton me precedentë penalë, i dënuar nga Gjykata e Lezhës në vitin 2008, për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për një vrasje dhe nga Gjykata e Firences, në vitin 2004, si bashkëpunëtor në vrasjen e një shqiptari.

Shkak i konfliktit, dyshohet të jenë mosmarrëveshjet për motive konkurrence.

 

Informacioni paraprak i Policisë së Lezhës – identifikohen autorët

Me datë 24.02.2016 rreth orës 10:35 është njoftuar se tek Mbikalimi në Ishull Lezhë është një mjet B.M.W. me targë AA383EH, ku drejtuesi i mjetit është i gjakosur.

Menjëherë kanë vajtur shërbimet e policisë në vendngjarje ku është konstatuar se drejtuesi mjetit B.M.W. është shtetasi Landi Gjet Noka, i datëlindjes 06.01.1971, banues në Sheshaj Mirditë, pronar i një biznesi me lëndë drusore dhe qymyrgurit.

Janë marrë masat e menjëhershme duke e dërguar në spital shtetasin e dëmtuar për të marrë mjekimin e duhur.

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja arme të tipit T.T.

Nga veprimet e shpejta hetimore dhe verifikuese nga ana e grupit hetimor të policisë ka rezultuar se autorë të dëmtimit të shtetasit Landi Noka, janë shtetasit: Landi Kaçorri dhe Gjergj Kaçorri, të cilët janë shpallur menjëherë në kërkim dhe po punohet për kapjen  e tyre.

Këta shtetas janë konfliktuar fizikisht duke e goditur me mjete të forta shtetasin Land Noka në kokë dhe nga shtetasit e shpallur në kërkim është qëlluar në ajër me armë zjarri.

Shkak i konfliktit dyshohet të jenë mosmarrëveshjet me motiv konkurence të biznesit të tyre me lëndë drusore dhe qymyrgur.

Gjithashtu shkak ka qënë edhe ngjarja e ndodhur me datë 22.02.2016 , ku në Komisariatin e  Policisë Mirditë ka shkuar shtetasi Marjo Gjet  Noka, banues në Rrëshen, i cili ka bërë kallëzim se në orën 14:10 të po kësaj date, ka qenë duke shkuar në shtëpi me familjen, dhe shtetasit Tanush Kaçorri dhe Land Kaçorri i kanë dalë përpara duke e ofenduar, sharë. Gjithashtu  kanë tentuar të veprojnë edhe me duar, por shtetasi Marjo Noka nuk u është përgjigjur duke u larguar me makinë për në shtëpi, ku dhe është ndjekur nga ata deri tek banesa e tij.

Për këtë ngjarje janë referuar materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale “Fyerja” . Vazhdojnë hetimet intensive për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

TV Klan