Me dhjetëra protestues në një qytet në Ukrainë sulmuan autobusët që mbanin të evakuarit nga Kina për shkak të koronavirusit. Ata u dërguan në një spital në Novi Sanzhary në qendër të rajonit Poltava ku do të mbahen në karantinë për 14 ditë.

Por gjatë rrugës, ndaj tyre u hodhën fishekzjarre dhe gurë. Presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky u kërkoi protestuesve që të tregojnë solidaritet.

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës deklaroi se shkak për këtë ngjarje është bërë një email fals gjoja nga ministria e Shëndetësisë që thoshte se të evokuarit ishin të infektuar të gjithë me virus.

Autoritetet kanë nisur hetimet për këtë mashtrim. Ndërkohë Ukraina nuk ka konfirmuar asnjë rast me koronavirusin e ri.

Covid-19 i ka marrë jetën mbi 2000 personave deri më tani. Mediat shkruajnë se kjo shifër ia kalon epidemisë Sars në 2003-shin. /tvklan.al