Matin temperaturën në largësi

Këto syze shfaqin temperaturën trupore të njerëzve në një largësi deri 3 metra. Ato mund të zbulojnë individët që kanë simptoma të infektimit me koronavirus, siç është temperatura e lartë. Temperatura kontrollohet përmes një sensori me infra të kuqe.

Inteligjenca artificiale më pas përllogarit temperaturën e trupit dhe e shfaq tek syzet në bazë të hartës së nuancave të ngjyrave nga e verdha deri tek e kuqja, që tregojnë pjesët e trupit me temperaturë të lartë.

Syzet janë zhvilluar nga një kompani kineze, që prodhon pajisje për lojërat kompjuterike. Ato mund të përdoren masivisht, në qendra tregtare, aeroporte dhe në zona të tjera me përqëndrim të lartë popullsie, ku rreziku i përhapjes së COVID-19 është i madh.

Firma kineze ka shitur deri më tani 1 mijë palë syze të tilla në parqe industriale, shkolla e institucione qeveritare dhe po merr gjithnjë e më shumë porosi nga vende të huaja.

Kina ka nisur vendosjen e sistemit të kontrollit me imazhe të temperaturës në stacionet e trenave. Ky sistem po eksperimentohet edhe në aeroportin ‘Hithrow’ të Londrës.

Këto syze mund të jenë zgjidhja për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit në shumë vende të botës ku qeveritë kanë ndërmarrë masa për lehtësimin e masave bllokuese të ekonomisë.

Tv Klan