Konkurrentja Ariana Shabani, e cila u eliminua në natën e 9-të të spektaklit Love Story në TV klan, ka folur para se të ngjitej në skenë, për mënyrën se si e mendon ajo jetën bashkëshortore.

Në një intervistë për programin “Daily Love Story”, me autore Ilda Lumanin, Ariana ka treguar nëse do i pëlqente të jetonte me prindërit e partnerit dhe se çfarë do të bënte nëse do të kishte një ditë me Saimirin.

Veç të tjerash ajo është pyetur edhe për “amanetin” e motrës së 33-vjeçarit në klipin prezantues, teksa është shprehur se nëse Saimiri do t’i kishte dhënë më shumë mundësi , do të ishte kujdesur për të më shumë se askush tjetër.

Nëse ti dhe Saimiri do të ishit vetëm në shtëpi për 24 orë, çfarë do të bënit?

Do të doja të bënim diçka ndryshe nga jeta e përditshme. Nëse do ishim në shtëpi do të kërcenim, do të doja që të darkonim që të njihte ai botën time dhe të shikonim ndonjë film.

Do ia sillje mëngjesin partnerit në shtrat?

Unë jam shumë detajiste, siç është dhe Saimiri. Do të preferoja të ma çonte ai i pari, por edhe unë jam tip që u shërbej njerëzve që dua. Për mëngjes do t’i gatuaja ‘pancakes’ të shëndetshme, shumë fruta…

Do pranoje të jetoje me prindërit e Saimirit?

Sigurisht që po, por kjo varet nga Saimiri. Nëse ai do të vendoste të kishim një familje bashkë, unë do të pranoja. Jam pro këtyre gjërave dhe me pozitivitetin që unë kam do të doja shumë.

Po mami i Saimirit si të është dukur tek klipi?

Më është dukur shumë pozitive, e këndshme dhe e dashur. I shëndrinin sytë dhe Saimiri ishte pika e saj e dobët dhe kjo më bëri të ndjej shumë emocion dhe të më rrëqethte mishin.

Çfarë imazhi ka vjehrra në mendjen tënde?

Duke qenë që u ka dalë thjesht nami kot, është një shprehje që nuk duhen futur të gjithë njerëzit në një thes. Normalisht vjehrrat janë pak xheloze për djemtë që i kanë pikë të dobët. Por me dashurinë që unë fal tek njerëzit, do të ishim shumë shoqe.

Motra e Saimirit ka dhënë një lajmërim për vajzat, teksa u shpreh që t’ia keni kujdes vëllanë. A mendon se je kujdesur për Saimirin?

Mua nuk më ka dhënë shumë mundësi Saimiri që të kujdesesha për të, ne thjesht kemi pasur një takim dhe jemi takuar shumë pak. Ta dijë mirë motra e tij. Por e them me 100% se nëse do më kishte dhënë më shumë mundësi Saimiri, do të kujdesesha më shumë se askush tjetër për të./tvklan.al