Ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku përmes një lidhje me skype për Klan News, ka komentuar vizitën e Kryeministrit Rama në Bruksel. Ajo tha se komisioni për integrim është shumë mbështetës por qeveria Rama nuk e ka prioritet integrimin në BE.

“Qeveria shqiptare nuk e ka prioritet integrimin e Shqipërisë në BE, nuk e ka pasur, sepse nga 3 kushte që ishin Rama i bëri 15 kushte, sigurisht që komisioni është mbështetës por është çështje që qeveria shqiptare me bashkëpunimin më krimin, me rritjen e korrupsionit me rritjen e pastrimit të parave dhe shumë elementë të tjerë nuk e realizon ashtu siç duhet planin e punës dhe realizmin e këtyre kritereve nuk e ka në planin e ditës.”

Duke folur për qasjen e komisionit për integrim të Shqipërisë në BE, Tabaku tha se mori dy mesazhe nga dy eurokomisionerët Borrell dhe Varhely sa i përket këtij procesi.

 “BE ishte krah nesh dhe angazhoi fonde, fatmirësisht fondet u angazhuan me një mekanizëm që nuk kishte lidhje me qeverinë dhe u ndërtuan shkolla ndërkohë që e njejta gjë nuk ka ndodh me buxhetin e shtetit. Njerëzit janë lënë në harresë, janë lënë akoma në çadra edhe 1 vit e gjysëm  pas tërmetit. Elementi i dytë ishte fakti që zgjedhjet do të jenë prioritet, do të shikohen zgjedhjet për të vendosur për procesin e ardhshëm të integrimit evropian.”

Ish-deputetja tha se konferenca ndërqeveritare nuk do të mbahet nën qeverinë Rama, por do të mbahet në 6 mujorin e qeverisë së ardhshme.

“Konferenca ndërqeveritare nuk do të mbahet sepse mund të ishte mbajtur para 2 viteve, konferenca e parë ndërqeveritare do të jetë prioritet i qeverisë së ardhshme dhe do të mbahet në 6 mujorin e parë. Është jashtë kontrolli të Edi Ramës procesi i integrimit evropian,” është shprehur Tabaku.

Klan News